Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas të dhënave të deritanishme, partia në pushtet ka marrë mbi 40% të vovave, PDK-ja ka marrë mbi 20%, LDK-ja 18% dhe aleanca AAK- Nisma 7.6%.
Pas daljes së rezutateve kryeministr Albin Kurti njoftoi se Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet dhe se bashkë me aleatët në koalicion Listën Guxo dhe Alternativën do formojnë qeverinë e re të Kosovës.
Në fjalën e tij para mbështetësve, Kurti tha se asnjëherë më parë nuk është bërë luftë sa ndaj qeverisë së tij ndërsa sulmoi krerët e opozitës duke i quajtur hajvanë, shkruan Koha.
“Kurrë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie. Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapë se prapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë, sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re Kurti 3, dhe në këtë mënyrë do t’i vazhdojmë edhe punët e nisura. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar rezistencën e tyre kundër një lufte të paparë hibride që është bërë kundër koalicionit tonë. Ka pasur premtime edhe irracionale. Përkundër kësaj LVV fitoi dhe ne jemi subjekti fitues që do ta formojë qeverinë e ardhshme. E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash. Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash. Por, ka kalu koha e hajvanatit.” – ka deklaruar Kurti.
PDK-ja që u rendit e dyta është shprehur e kënaqur me rezultatin me zëdhënësin e saj Blerand Stavileci që tha se shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën qeverisë së Albin Kurtit.
“Jemi në situatë të pazakontë, ku ne si parti duhet t’i kallëzojmë votat, dhe jo KQZ-ja. PDK-ja ka arritur rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota. Falënderojmë qytetarët që votuan për PDK-në. Ky është sukses i pamohueshëm për ne dhe mesazh i fortë për ne. Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie, pasi nuk e kanë shumicën. Rezultatet tregojnë se qytetarët kërkojnë qeveri të re”, ka thënë Stavileci.
Kreu i LDK-së Abdixhiku vletësoi rritjen në votat e marra megjithatë tha se rezutati nuk ishte i kënaqshëm,
“Po e bëjmë punën që duhet ta kryejë KQZ-ja. Sipas numërimit që janë marrë nga komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së, LDK-ja ka marrë 158.954 vota apo 18.1 për qind, LVV-ja ka marrë 347.543 vota ose 39.8 për qind, PDK-ja ka marrë 190.363 vota apo 21.8 për qind, AAK-Nisma ka marrë 66.635 vota apo 7.6 për qind. Ndonëse kemi rritje të konsiderueshme, nuk është rezultat i kënaqshëm. Nëse populli s’më ka parë (si kryeministër) këtë radhë, jam i lumtur të jem pjesë e opozitës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës.” – tha ai.
Kreu i AAK-së Haradinaj, parti që u rendit e katërta në zgjedhje bëri thirrje që opozita ta formojë qeverinë teksa tha semezi pret që të bashkëpunojë për formimin e qeverisë së re.
“Jemi të sigurt se kemi rezultat dyshifror. Besoj se këtë do ta konfirmojmë. Ajo që më gëzon është fakti se opozita i ka fituar këto zgjedhje. I uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë se opozitës”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa kreu i Nismës Fatmir Limaj u shpreh i kënaqur me fitoren në vendlindjen e tij në Malishevë.
“Urime Malishevë për fitoren e madhe me mbi 40% të votave, në bazë të rezultateve fillestare. Jam krenar me vendlindjen time, me bashkëvendësit e mi, që sot e dëshmuan edhe njëherë se janë shembull i një qytetarie që nuk mashtrohet, por, përkundrazi u japin mbështetje njerëzve që punojnë e bëjnë vepra të mira për Malishevën e tërë Kosovën. Ne fituam bindshëm në Malishevë, sepse Malisheva qeveriset nga NISMA Socialdemokrate.” – ka shkruar Limaj në Facebook.
Dita e zgjedhjeve në Kosovë kaloi pa asnjë incident ndërsa pjesëmarrja në votime ishte 40.59%. Nga 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë me të drejtë vote, ditën e djeshme kanë votuar 799 mijë e 954 qytetarë.
Mbrëmja e zgjedhjeve “u prish” disi pasi sistemi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u bllokua duke pamundësuar daljen e rezultateve në kohë, siç pritej ndërsa për dështimin e sistemit do ketë edhe një analizë, ka deklaruar kreu Kreshnik Radoniqi.
“Gjithçka ishte gati t’i transmetojmë rezultatet preliminare edhe në të kaluarën, aplikacioni nuk ka funksionuar, nuk po arrijmë t’i transmetojmë të dhënat përmes platformës. U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana kemi shqyrtuar situatën dhe do t’i mbledhim të dhënat në mënyrë manuale. Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i të dhënave preliminare përmes platformës elektronike nuk ka ndikim në rezultat. Pasi t’i grumbullojmë do t’i publikojmë, nuk e di, në orën 3 apo 4 të mëngjesit”, ka thënë Radoniqi.