Kryeministri Edi Rama ka theksuar angazhimin e qeverisë për realizimin e dy projekteve ambicioze, të cilat do të transformojnë Shkodrën dhe do të kenë një ndikim të madh në zhvillimin e rajonit.
Rama ka shprehur besimin se këto projekte, të cilat i janë besuar një arkitekti me çmime ndërkombëtare, do të ndryshojnë rrënjësisht pamjen dhe funksionimin e qytetit.
“Kemi dy projekte tepër ambicioze, që i janë besuar njeriut të duhur. Arkitektin që bën projektet e çmoj shumë, pasi ka marrë çmime prestigjoze ndërkombëtare.
Ne po punojmë në Bashkinë e Shkodrës, që gjithçka të ndryshojë, sepse e dimë shumë mirë sesa impakt ka që të ndryshojë hyrja e qytetit dhe sa ndikon kjo në jetën e përditshme dhe imazhin e një vendi.
Nuk e dyshoj që Muzeu i Kujtesës do të jetë hapësirë që do ketë shumë impakt, njësoj si Muzeu i Gjetheve. Padyshim që nga ky projekt, Shkodra do të ndryshojë imazhin e saj.
Patjetër që do të jetë më shumë vizitorë e turistë, që do të thotë do të jetë më shumë të ardhura. Ne do të bashkëpunojmë me Bashkinë e Shkodrës për Muzeun, por barrën kryesore do ta mbajë qeveria.
Në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, do ndërtohet edhe një parkim i madh nëntokësor. Dëshirojmë që të jetë infrastrukturë e tillë, që të lehtësojë barrën e trafikut.
Kemi shumë plane që kryeqytetit të veriut t’i japim të gjithë mbështetjen për ta forcuar sa më shumë”.