Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë “të përkushtuara për të blerë dhe zotëruar Gazën” dhe se ai mund të lejojë vendet e tjera në Lindjen e Mesme që të ndihmojnë në zhvillimin e saj.
“Mendojeni si një vend të madh pronash të paluajtshme, dhe Shtetet e Bashkuara do e zotërojnë atë dhe do e zhvillojnë ngadalë, shumë ngadalë,” u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One të dielën.
“Për sa i përket rindërtimit, ne mund t’ua japim atë shteteve të tjera në Lindjen e Mesme për të ndërtuar pjesë të tij. Njerëz të tjerë mund ta bëjnë këtë, nën kujdesin tonë”, tha Trump.
Propozimi fillestar i Trump javën e kaluar që Shtetet e Bashkuara të “marrin” Gazën dhe të zhvendosin të gjithë banorët e saj shkaktoi një kundërshtim të shpejtë nga Arabia Saudite dhe ndezi zemërim në vendet e afërta, përfshirë Jordaninë, që tashmë janë shtëpia e miliona refugjatëve palestinezë. Udhëheqësi i Jordanisë, Mbreti Abdullah II, do takohet me presidentin në Uashington të martën.
Plani i Trump për Rripin e Gazës u prit gjithashtu me alarm të menjëhershëm nga Kombet e Bashkuara dhe të tjerë që thanë se do të shkelte ligjin ndërkombëtar, raportoi Washington Post.
“Çdo zhvendosje e detyruar e njerëzve është e barabartë me spastrimin etnik”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric, kur u pyet për propozimet e presidentit të SHBA-së.
Trump u tha gazetarëve të dielën se Shtetet e Bashkuara do e bëjnë Gazën “një vend shumë të mirë për zhvillimin e ardhshëm. Njerëzit mund të vijnë nga e gjithë bota dhe të jetojnë atje. Ai tha gjithashtu se do të konsideronte lejimin e disa palestinezëve që të vendosen në Shtetet e Bashkuara rast pas rasti.