Artistët solidarizohen me Veliajn: E transformove Tiranën nga hale në kryeqytet


Këngëtarë, moderatorë e artistë kanë shprehur solidaritetin e tyre me kryebashkiakun Veliaj pas arrestimit të këtij të fundit ditën e djeshme. Moderatorja Ilnisa Agolli shkruan “Stay strong”.

Balerini Ilir Shaqiri i bën thirrje Veliajt që të mos dorëzohet pasi e ka shndërruar Tiranën nga hale në kryqytet.

“E transformove Tiranën nga një hale në kryeqytet. Never give up Lal”, shkruan Shaqiri.

Moderatorja Klea Huta shkruan se kryebashkiaku ka mbështetur çdokënd që ka pasur nevojë dhe se ka bërë për Tiranën më shumë se kushdo.

“Forca Lali, ke mbështetur te madh e të vogël dhe ke bërë për këtë vend më shumë se kushdo. I ke dhënë mbështetje dhe hapësirë të gjithëve, për ta bërë Tiranën një vend më të mirë”, shkruan Huta.

Moderatorja tjetër Albana Osmani shkruan se nuk e paanshme politikisht dhe se do e mbështesë kryebashkiakun Veliaj deri kur të flasë drejtësia.

“Si një qytetare e ndërgjegjshme dhe e paanshme politikisht, e cila nuk ka ndërtuar kurrë karrierën mbi interesat e politikës, qëndrimi im sot nuk buron nga përfitimi apo aleanca, por nga një parim thelbësor: drejtësia dhe integriteti nuk duhet të maten me impulsin e turmave, por me faktet dhe të vërtetën.

Në këtë moment kritik, kur debati publik është mbushur me emocione të ndezura, pyetja e vërtetë nuk është thjesht mbi personin apo akuzën, por mbi mënyrën se si ne, si shoqëri, qasemi këtyre sfidave. A po kërkojmë vërtet drejtësi apo po shijojmë një spektakël të rrëzimit të një figure publike?

Unë nuk i përkas asnjë force politike, nuk kam kërkuar e as përfituar ndonjë favor. Sot zgjedh të mbështes Lalin jo si një akt besnikërie personale, por si një deklaratë të parimeve: deri në momentin që drejtësia flet, njeriu vlerësohet për punën dhe kontributin e tij, jo për perceptimet apo klimën politike të çastit. Në një demokraci funksionale, gjyqi moral nuk mund të jetë më i shpejtë se ai ligjor. Nëse ka gabuar atëherë do të përgjigjet. Por deri atëherë, ndershmëria intelektuale na detyron të pranojmë se asnjë njeri nuk mund të shpallet fajtor pa një proces të drejtë. Dhe për këtë arsye, sot unë zgjedh të qëndroj me Lalin e besimit tim në një shoqëri që kërkon të vërtetën mbi pasionin e momentit. jo si akt sfide, por si një dëshmi e besimit tim në një shoqëri që kërkon të vërtetën mbi pasionin e momentit”, shkruan Osmani.

Solidaritet me Veliajn ka shprehur edhe këngëtari e producenti Ardit Çuni. Ai shkruan se kryebashkiaku në këto 10 vite ke transformuar Tiranën në një qytet më të bukur, më modern dhe më të gjallë.

“Lali në këto 10 vite ke transformuar Tiranën në një qytet më të bukur, më modern dhe më të gjallë. Ke mbështetur artistët, të rinjtë dhe çdo nismë që ka sjellë pozitivitet në këtë qytet. Qëndro i fortë, sepse e vërteta gjithmonë del në dritë. Ke mbështetjen e gjithë atyre që e duan Tiranën dhe që e vlerësojnë punën tënde”, shkruan Çuni.