Një aksident në kryeqytetin e Guatemalës vrau të paktën 53 persona dhe plagosi disa të tjerë pasi një autobus ra nga një urë në një luginë mëngjesin e së hënës, sipas zyrtarëve qeveritarë.
Autobusi rrëshqiti në një përrua të vështirë për t’u arritur dhe u zhyt në një lumë ujërash të zeza, sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes. Bagazhet dhe sendet personale u shpërndanë nëpër brigjet e përroit.
Numri i të vdekurve pritet të rritet, duke qenë se eki[et e shpëtimit nuk kanë mundur ende t’i nxjerrin të gjithë trupat. Zyra e prokurorit publik, e cila publikoi numrin e të vdekurve në një deklaratë, tha se po hetonte aksidentin.
Shoferi i autobusit mund të ketë humbur kontrollin për shkak të një defekti mekanik, duke shkaktuar përplasjen e tij me dy mjete të tjera, tha Carlos Hernández, një zëdhënës i departamentit të zjarrit të qytetit të Guatemalës.
Hernández, megjithatë, paralajmëroi se një hetim mbi aksidentin ishte ende në vijim. Mediat shfaqën pamjet nga kamerat e sigurisë të autobusit, i cili dukej se ishte duke ecur me shpejtësi pak para përplasjes.