GJKKO ka shtyrë vendimin për padinë e Vilma Nushit ndaj deputetes së PD-së, Albana Vokshi, për shpifje lidhur me koncesionet e check-up-it dhe sterilizimit.
Pas seancës, Vokshi deklaroi se nuk pranoi pajtimin dhe kërkoi që Nushi të paraqitet në gjykatë për të dëgjuar pretendimet e saj. Ajo e cilësoi koncesionin si abuziv dhe korruptiv, duke theksuar se SPAK po heton prej katër vitesh këtë çështje.
Vokshi u shpreh e gatshme të dorëzojë prova të tjera në lidhje me abuzimet, për të cilat tha se do t’i paraqesë në seancën e ardhshme më 26 shkurt. Deputetja akuzoi Nushin si përfituese korruptive të fondeve të shëndetësisë dhe paralajmëroi ndjekje ligjore deri në fund.
“U refuzua nga ana jonë pajtimi. Kemi kërkuar seancën e ardhshme të paraqitet znj. Nushi e për të dëgjuar pretendimet e saj dhe sqarimet e mia në lidhje me check up.
E kam kallëzuar 2 herë këtë koncension, abuziv e korruptiv me pasoja të rënda për qytetarët. E kam kallëzuar në Prokurori, SPAK dhe 4 vite po e heton, jam në dispozicion të SPAK për të dhënë informacione të tjera, në lidhje me këtë koncesion, që i kemi grumbulluar edhe nga komisioni hetimor, pavarësisht se komisioni hetimor u mbyll pa raport parlamentar.
Ndaj grupi i punës në PD po punon, dhe do e bëjmë publik me qëndrimet përkatëse dhe kallëzime në SPAK për një sërë ministrash e zv. ministrash apo punonjës të administratës dhe ortakë të koncesionarëve.
S’kam asgjë me paratë e fituara ndershëm nga biznesët e saj, po Vilma Nushi s’do gëzojë asnjë qindrakë me abuzimin e parave të shëndetësisë jo vetëm në buxhet, por edhe te qytetarët e bizneset e tyre. Si vampire e korrupsionit ka marrë gjakun e pensionistëve, qytetarëve, administratës për fitime galopante korruptive. Ne do i shkojmë deri në fund.
Është model i paparë në asnjë vend të botës, 10 vite para për Vilma Nushin dhe me miratimin e Edi Ramës. Do jem personalisht në gjykatë, 26 shkurt seance e radhës, dhe do faktoj çdo deklaratë timen, çdo abuzim në lidhje me check up dhe duke i bërë publike edhe për median. Me dokumente abuzimet, pagesën e qindra mijëra analizave të check up të pakryera. Do dëshmoj shkeljen e kontratës së firmosur nga Beqaj e Vilma Nushi”, tha ajo.