Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të tij të hënën nga SPAK me akuzat për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, me vlerë transaksionesh prej më shumë se 1 milion euro.
Në një ndryshim të menjëhershëm të kursit ndaj veprimeve të organeve hetimore, Rama ka kaluar nga ‘no comment’ në akuza të drejtpërdrejta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke e konsideruar arrestimin e Veliajt si antikushtetues dhe akuzat ndaj tij si ‘roman policesk’.
I pyetur nga BIRN nëse do të ndiqte standardin e vendosur më parë, duke i shkarkuar nga detyra kryebashkiakët kur janë vënë nën akuzë, kryeministri tha se Veliaj ishte ndryshe.
“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta,” tha Rama për BIRN.
Erion Veliaj, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit, është ndër zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste në pushtet që arrestohet për vepra penale të korrupsionit, pastrimit të parave, deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.
Më herët, kanë rënë në prangat e SPAK-ut me akuza për afera korruptive të inceneratorëve dhe koncesioneve në Shëndetësi ish-ministrat Lefter Koka dhe Ilir Beqja, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në arrati.
Për asnjërin prej tyre, kryeministri Edi Rama nuk e ka sulmuar SPAK-un, duke ndjekur linjën ‘no comment’ ndaj vendimeve të drejtësisë.
Por, sipas tij, me arrestimin e Erion Veliajt “jemi në kushte tërësisht të ndryshme nga të gjitha rastet e mëparshme.”
Ai pretendon se ‘nuk ka një çështje konkrete korrupsioni’ dhe e krahason dosjen hetimore me “një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij.”
“Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike,” – shton ai, edhe pse kërkon të drejtën për të marrë më shumë kohë para se të dalë në përfundime.
Kryeministri paralajmëron një epokë të re të marrëdhënieve të tij dhe të partisë në pushtet me sistemin e drejtësisë.
“Qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe i kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar,” tha Rama.
Një qëndrim të ngjashëm ai mbajti edhe gjatë një bisede live në rrjete sociale me komentuesit, ku vuri në pikëpyetje standardet e funksionimit të drejtësisë dhe e cilësoi heshtjen ndaj punës së saj ‘të keqkuptuar’. Sipas Ramës, qëndrimi i ri i mazhorancës do të jetë “kritikë konstruktive.”
Me iniciativën e tij, prej disa muajsh është ngritur një komision i posaçëm parlamentar me objektiv edhe forcimin e sundimit të ligjit, por ky mekanizëm është parë me mosbesim si një tentativë për kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Por menjëherë pasi u bë publik dhe u shpërnda në media ky shkrim nga BIRN, ka reaguar menjëherë kryeministri Rama.
Rama shprehet se komenti i zyrës së tij të shtypit është nxjerrë nga konteksti, ndërsa thekson se rasti i Veliajt krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalim në shkelje të standardeve demokratike.
Postimi i plotë i Edi Ramës
Kjo frëngji është e një grupi që quhet Birn, i cili pretendon se lufton për të vërtetën dhe ndërkohë nxjerr nga konteksti brutalisht përgjigjen e zyrës së shtypit të kryeministrisë! Dhe tani ky titull i pavërtetë bëhet avaz kudo, e pastaj do thuhet se ai ka thënë që …
Kjo më lart është bota çmendurake ku jetojmë. Ndërsa kjo më poshtë është deklarata e zyrës së shtypit në përgjigje të pyetjes së Birn se a do të shkarkohet Erjon Veliaj:
Mesa duket nuk e keni ndjekur adresimin qe kryeministri i beri arrestimit te kryetarit te bashkise se Tiranes, ku jemi ne kushte teresisht te ndryshme nga te gjitha rastet e meparshme.
E para, sepse nuk kemi nje çeshtje konkrete korrupsioni per te cilen ka nje aktakuze, po jemi perpara nje romani voluminoz mbi germimet e kryera ne jeten e tij dhe bashkeshortes se tij. Pra, ne thelb jemi perballe nje rasti qe krijon dyshimin e arsyeshem te nje hetimi jashte shinave kushtetuese dhe nje ndalimi ne shkelje te standarteve demokratike. Por eshte ende shume heret per te dale ne perfundime, prandaj rezervojme te drejten per te marre kohe.
E dyta, qendrimi pesevjecar i Partise Socialiste dhe kryeministrit per te mos bere asnje koment ne asnje rast specifik, ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna te kryetarit te bashkise se kryeqytetit, per ta mbyllur pa gjyq ne nje qeli dhe duke kycur ne shtepi edhe bashkeshorten, nene e nje djali gjashtevjecar.
Ky fakt tejet problematik per gjithe kryeqytetin, jo thjesht per kryebashkiakun si pale ne proces po edhe per ne si garante te Reformes ne Drejtesi dhe njekohesisht te kontratave me qytetaret ne nivel qendror e vendor, aq me teper per metropolin e Shqiperise, kerkon nje reflektim shume serioz.
Dhe e fundit, ne do t’ju ishim shume mirenjohes juve dhe cilesdo media qe ne vend se te beje thjesht leximin e romanit policor te akt-akuzes, te hedhe drite per provat qe e mbeshtesin ose jo fillin e atyre afro 400 faqeve.
Si perfundim, pergjigja eshte qe jo vetem kryetari i Bashkise se Tiranes nuk do te shkarkohet nga detyra, po nga ndalimi i tij ka lindur per ne detyra qe te vazhdojme te jemi garante te palekundur te drejtesise, duke nxitur sa me shume transparence per te dale tek e verteta. Ciladoqofte ajo.