Militantët e armatosur vranë më shumë se 35 civilë gjatë një sulmi ndaj një grupi fshatrash në provincën lindore Ituri të Republikës Demokratike të Kongos të hënën mbrëma.
Kreu i grupit të fshatrave Djaiba në territorin e Djugu, Jean Vianney, tha se militantët e CODECO kryen sulmin, i cili filloi rreth orës 20:00, duke ekzekutuar pa mëshirë banorët dhe duke u vënë flakën shtëpive.
“Ne kemi numëruar më shumë se 35 të vdekur këtë mëngjes dhe kërkimet janë duke vazhduar. Ka njerëz të lënduar, shumë të shkrumbuar brenda shtëpive,” tha ai.
Udhëheqësi vendas i shoqërisë civile Jules Tsuba tha se 49 trupa ishin numëruar deri më tani të martën në mëngjes dhe se kërkimi ishte në vazhdim.
CODECO është një nga një mori milicish që luftojnë për tokën dhe burimet në Kongon Lindore. Ajo është akuzuar në të kaluarën nga Kombet e Bashkuara për sulme kundër komuniteteve të tjera, duke përfshirë barinjtë Hema. Shumica e banorëve në territorin e Djugut janë Hema.