Pak ditë pas mbylljes së procedurës për vendosjen e pajisjeve të pagesave në disa parkingje publikë në Bashkinë e Durrësit tenderi ka kaluar në Komisionin e Prokurimit Publik si i ankimuar nga një operator privat.
Referuar përshkrimit të ankesës duket se kompania nuk ka qenë dakord me vlerësimin e bërë nga ana e autoritetit kontraktor duke kërkuar rivlerësim të saj.
Bëhet fjalë për kontratën që ka në objekt të saj “Furnizim, vendosje pajisjesh për parkimet publike në qytetin e Durrësit që parashikon përveç vendosjes së pajisjeve të pagesës edhe rehabilitim të këtyre parkimeve.
Bashkia e Durrësit njoftoi një javë më parë se kompania fituese ishte “Adi Professional” teksa ankesa është bërë nga “PC Store”.
Në dokumentet e vëna në dispozicion më herët për këtë procedurë bashkia pranonte se aktualisht të tre sheshet në qytet shërbejnë si parkime publike por nuk kanë rrethim, kanë nevojë për ndërhyrje në rehabilitim të shtresave dhe vijëzim si dhe për vendosje të pajisjeve që lidhen me pagesën. Parkimet ndodhen në disa zona të qytetit dhe për të cilat Bashkia specifikon edhe gjendjen e tyre ekzistuese.
Sheshi i parkimit te Muzeu i Dëshmoreve
Ky shesh ka nevojë për rehabilitim dhe vijëzim të vend parkimeve sipas përmasave standarde të përcaktuara në legjislacion. Gjithashtu ka nevojë për ndërhyrje në përmirësimin e shtresave dhe rrethimit për të rritur sigurinë në parkim.
Sheshi i parkimit te Pallati i Sportit Ramazan Njala
Ky shesh ka nevojë për rehabilitim dhe vijëzim të vend parkimeve sipas përmasave standarde të përcaktuara ne legjislacion. Gjithashtu ka nevojë për ndërhyrje në përmirësimin e shtresave dhe rrethimit për të rritur sigurinë në parkim.
Sheshi i parkimit te Shëtitorja Taulantja
Ky shesh aktualisht ka vijëzim të vend parkimeve sipas përmasave standarde të përcaktuara në legjislacion. Ka nevojë për ndërhyrje në përmirësimin e shtresave dhe rrethimit për të rritur sigurinë në parkim./Monitor