Presidenti rumun Klaus Iohannis njoftoi dorëheqjen e tij të hënën pas presionit nga grupet opozitare
“Për të shpëtuar Rumaninë nga kjo krizë, unë po jap dorëheqjen si president i Rumanisë,” tha ai në një fjalim emocionues, duke shtuar se do të largohet nga detyra më 12 shkurt.
Njoftimin e bëri vetë ai duke sqaruar se do ta lërë postin që mban, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja presidenciale. Ky njoftim vjen teksa opozita rumune po bënte një përpjekje për ta rrëzuar atë nga posti, pasi ai qëndroi si president edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që anuloi zgjedhjet presidenciale, rundin e parë të të cilave e fitoi kandidati i krahut të djathtë, prorusi Calin Georgescu.
Moska ka mohuar se ka ndërhyrë në zgjedhjet në Rumani. Zgjedhjet e reja presidenciale planifikohen të mbahen më 4 maj dhe nëse asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën, rundi i dytë do të mbahet më 18 maj.
Iohannis, 65 vjeç, ka mbajtur rolin presidencial që nga viti 2014 dhe ka shërbyer maksimalisht dy mandate pesëvjeçare.