Rama për arrestimin e Veliajt: Kryebashkiaku dhe bashkëshortja po trajtohen si kriminelët e kriminelëve


Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit “Sy më Sy”, komentoi arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Rama kritikoi ashpër mënyrën e trajtimit të rastit nga institucionet e drejtësisë.

“Pas pesë vitesh, drejtësia ka fituar vetëbesim, por i ka munguar kritika konstruktive. Është absurde që edhe një nënë me një fëmijë 6-vjeçar të vendoset në arrest shtëpie, ndërsa Veliaj në qeli, pa gjyq, sikur të ishte kriminel i kriminelëve,” tha Rama.

Ai theksoi se drejtësia duhet të zbardhë faktet dhe të trajtojë rastet me standard të njëjtë. “Tirana nuk mund të lihet pa kryetar bashkie pa gjyq e pa prova të provuara, por vetëm nga thashethemet,” u shpreh kryeministri, duke refuzuar thirrjet për dorëheqje.

“Në këtë proces pas 5 vitesh institucionet kanë krijuar një vetëbesim të plotë dhe u ka munguar kritika konstruktive.

I nisur nga një novelë, dorëzuar shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman 4000 faqe ku prokurorët dhe gjykatësit paraprakë kanë arritur që edhe nënën me fëmijën 6 vjeç ta lënë në Arrest shtëpie kur babanë e kanë çuar në qeli.

Kush e merr dhe e sjell këtë fëmijë nga shkolla, si i jepet për të ngrënë etj.

Kemi pasur edhe raste të tjera ku për 1001 arsye janë trajtuar ndryshe. Mungesa e uniformitetit që merren dhe trajtohen si kriminelët e kriminelëve Veliaj, Xoxe dhe fëmija 6-vjeç, ka një peshë të tillë që nuk duhet folur pa u zbardhur krimet që e paskan lënë Tiranën pa kryetar bashkie, pa gjyq.

Flas për krimet e provuara, jo ata nga gojët e ndyra. Më thonë bëhu burrë e jep dorëheqjen. Për çfarë arsye ta jap?”

Ndër të tjera kryeministri Edi Rama ka deklaruar se dorëheqja nuk është opsion për të. Rama tha se ekzistojnë vetëm dy arsye për t’u tërhequr nga politika.

“Ose më largon zemra nëse nuk më rreh mjaftueshëm dhe aty them stop, ose më largon populli i Shqipërisë,” u shpreh Rama.

Ai gjithashtu komentoi mbi zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se është kurioz për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. 

“Dorëheqjen duhet ta harrosh ti bashkë me gjithë të tjerët, për të më larguar mua nga politika ka dy rrugë, ose më largon zemra nëse nuk më rreh mjaftueshëm dhe aty them stop, ose më largon populli i Shqipërisë.

Më 11 Maj jam kurioz do të votojë ata që janë jashtë sepse thuhet që i dëbova unë. Te shohin çfarë mendimi kanë ata, nëse votojnë masivisht për mua si dëbuesi i tyre, kur shifrat tregojnë që largimi është konstant, atëherë do të mbaj shënim. Nuk jam i kapur pas pushtetit, por pas punës”, tha Rama.