Kryeministri Rama ka kritikuar median duke e quajtur llum e kënetë ndërsa pohoi se në Shqipëri nuk ka asnjë media që të jetë papagalle e qeverisë.
Ai shtoi se nuk e ka konsideruar si aleate median në punën e tij ndërsa akuzoi se media hedh llum e baltë ndaj tij e qeverisjes së tij.
“Këtu ka një kënetë që ka mediat e veta. Një kënetë që nxjerr nga llumi para për mediat e veta. Nëse më thoni një media që bën papagallin e qeverisë, më thoni vetëm një. Në romanin e akuzave që i bëhet kryebashkiakut Veliaj i thonë për shtëpitë e vjehrrit të marrë vite e vite më parë në Qerret. Kur shkohet deri këtu sa shkohet te vjehrri që ka vdekur prej kohësh në kohën kur dhëndri nuk ka pasur asnjë lloj pushteti. Ndërkohë që këtu frëngjitë nga të cilat hidhet balta me tonelata përditë hapen e mbyllen me llumin që qarkullon dhe kthen në ar këneta. Si i bëhet kësaj pune, kush do e bëjë këtë. Për sa u përket mediave, unë mediat në rastin më të mirë i shoh që janë deri diku të balancuara në lajme. Këto sallonet e politikës janë mysybet në tërësi. Po s’ka asnjë problem se nuk e kam paur kurrë median si aleat në punën time.” – tha Rama.