Trump: Nëse Hamasi s’i liron të gjitha pengjet izraelite deri të shtunën, të anulohet armëpushimi


Presidenti amerikan sTrump tha se nëse Hamasi nuk i kthen të gjithë pengjet deri mesditën e së shtunës, ai do bëjë thirrje për anulimin e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe “shpërthimin  e ferrit”.

Trump i bëri komentet pas nënshkrimit të urdhrave ekzekutivë në Zyrën Ovale të hënën në mbrëmje.

I pyetur nëse mendon se marrëveshja e armëpushimit duhet të anulohet, presidenti tha se ky është “vendimi i Izraelit”.

“Nëse të gjithë pengjet e Gazës nuk kthehen deri të shtunën në orën 12:00, unë do u thoja ta anulojnë armëpushimin”, tha Trump në Zyrën Ovale.

“Le të shpërthejë ferri.”

Trump theksoi se Hamasi duhet t’i lirojë “të gjithë pengjet njëherësh, jo pjesë-pjesë “.

Një zëdhënës i Hamasit tha të hënën se grupi do vonojë lirimin e ardhshëm të planifikuar të pengjeve në Rripin e Gazës pasi akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

“Gjatë tre javëve të fundit, udhëheqja e rezistencës ka mbikëqyrur shkeljet e bëra nga armiku dhe dështimin për të përmbushur detyrimet e tij sipas marrëveshjes; duke përfshirë vonesën në lejimin e kthimit të të zhvendosurve në Rripin verior të Gazës, duke i shënjestruar ata me bombardime dhe të shtëna të drejtpërdrejta me armë në zona të ndryshme në të gjithë Gazën, dhe duke mohuar furnizimet e të gjitha llojeve për të hyrë siç është rënë dakord, ndërkohë që rezistenca i ka përmbushur kërkesat “. tha zëdhënësi i krahut ushtarak të Hamasit.

“Prandaj, lirimi i të burgosurve sionistë të shtunën e ardhshme, 15 shkurt 2025, do shtyhet deri në njoftimin e mëtejshëm dhe derisa pushtuesi të angazhohet dhe të sigurojë kompensim për shkeljet e bëra,” tha ai.

Izraeli dhe Hamasi janë në mes të një armëpushimi gjashtëjavor, gjatë të cilit Hamasi është zotuar të lirojë 33 pengje të kapur në sulmin e tij të 7 tetorit 2023 në këmbim të afro 2000 të burgosurve palestinezë.

Palët kanë kryer pesë shkëmbime që nga hyrja në fuqi e armëpushimit muajin e kaluar, duke liruar 21 pengje dhe më shumë se 730 të burgosur palestinezë. Shkëmbimi i radhës, i planifikuar për të shtunën e ardhshme, kërkon lirimin e tre pengjeve të tjerë izraelitë në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë.

“Njoftimi i Hamasit për të ndaluar lirimin e pengjeve izraelite është një shkelje e hapur e marrëveshjes së armëpushimit dhe marrëveshjes për lirimin e pengjeve”, tha të hënën ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.

“Unë kam udhëzuar Forcat e Mbrojtjes izraelite që të ruajnë nivelin më të lartë të gatishmërisë për çdo skenar të mundshëm në Gaza dhe të forcojnë mbrojtjen e komuniteteve izraelite. Ne nuk do lejojmë kthimin në realitetin e 7 tetorit.”