“Vjen era korrupsion”- Bushka nën hetim nga SPAK, Sula te ‘Ligjet’: Ke penguar drejtësinë


Deputetja socialiste Klotilda Bushka reagoi për herë të parë pasi SPAK e mori në hetim për pengim të zbardhjes së të vërtetës në çështjen Veliaj.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, opozita kërkoi që Bushka të mos drejtonte mbledhjen. Deputeti Dash Sula deklaroi: “PS nuk ka moral të flasë, vjen era korrupsion,” duke kërkuar që drejtimin ta merrte një anëtar tjetër.

“Ne si gjithë Komisioni i Ligjeve duhet të kishim reagim unifikues me situatën që ka ndodhur. Prandaj, zonja kryetare, mund t’ia lini radhën zonjës Çupi të drejtojë mbledhjen apo kujtdo anëtare e Komisionit mund ta kishte këtë aftësi. Zonja kryetare ke penguar drejtësinë. Mbyllni gojën anëtarë socialistë të Komisionit, se nuk keni moral të flisni. Është turp. Vjen era korrupsion”, tha Sula.

Përgjigja i erdhi nga vetë Bushka, e cila tha se do japë sqarime vetëm atje ku duhet.

“Ju sqaroj që ky është një komision ligjesh dhe jo komision hetimor, unë jam drejtuese e komisionit të ligjeve dhe jam duke ushtrua detyrën time. Nëse kam diçka për të sqaruar do ta sqaroj atje ku sqarohen. Sa i takon çështjes së dinjitetit unë kam qenë e dinjitetshme, jam dhe do jem”, tha Bushka.