Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Basha tha sot se kryeministri Rama si nxënësi më i mirë i Berishës e nisi sot ditën duke sulmuar SPAK-un.
Ai shkruan se kreu i qeverisë përdori të njëjtat skema si kreu i PD-së me përdorimin e administratës për të rrethuar gjykatën ndëra deputetët e PS-së si batalion kundër drejtësisë.
“Sa më e ashpër lufta kundër korrupsionit, aq më shumë zgjerohet fronti anti-SPAK.
Ndërkohë që qytetarët ndodheshin në vendet e punës, apo dilnin në kërkim të një pune për të siguruar jetesën e familjeve të tyre, Edi Rama nisi ditën e “punës” si kryeministër me sulme ndaj prokurorëve dhe gjykatësve. Si nxënësi më i mirë i Berishës, përdori administratën për të rrethuar gjykatën, ndërsa grupin e tij parlamentar si një batalion kundër drejtësisë, e cila ka nisur të dëshmojë përmes veprimeve serioze dhe kurajoze, se askush nuk mund të jetë më mbi ligjin. Shantazhet mafioze ndaj SPAK, kërcënimet me fondet, gjyqi ndaj gjyqit që i takon vetëm drejtësisë, janë dëshmi të një sjellje autokratike anti-shtetërore, të papranueshme.” – shkruan Basha.
Në fund të shënimit Basha u bën thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 11 majit të ndëshkojnë me votë kryeministrin Rama e kreun e PD-së Berisha e të qëndrojnë në mbështetje të SPAK-ut që është investimi më i madh i shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Edhe tani, që abuzimet e tij dhe të përzgjedhurve të tij kanë dalë sheshit, në vend që të mbajë përgjegjësi, kërkon prova, a thua të jetë gjykatës e jo politikan. Përballë këtij revanshi kundër drejtësisë, detyra e çdo qytetari të ndershëm është të ndëshkojë me votë këtë që përpiqet ta pengojë fundin e pandëshkueshmërisë në nivelet e larta, e të qëndrojë në mbështetje të SPAK, si investimi më i madh i shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, e për të siguruar një të ardhme më të mirë për çdo familje. Shqipëria meriton më shumë!”. – mbyll shënimin Basha.