Kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka tha sot se nuk ka bërë asnjë shkelje ligji lidhur me daljen e emrit të saj në dosjen hetimore ndaj kryebashiakut të Tiranës Veliaj.
Ajo pranoi se ka takuar e biseduar me Ina Goxhajn, por se në asnjë rast nuk e ka nxitur kushërirën e saj që të shkelë ligjin dhe as të fshehë provat.
“Kam punuar me dinjitet, kam shërbyer gjithë jetën ligjit. Ngjarjet e fundit kanë treguar se instituionet e reja të drejtësisë dhe PS-ja kanë fituar besimin e mjafturshëm duke na çliruar nga pozicioni i moskomentimit të drejtësisë. Dua t’u sqarojë për meritat e këtij raste. Për sa i përket përmendjes së emrit tim apo bashkëshortit tim në një projekt. Bashkëshorti im ka një biznes si person fizik. Por ka fituar një shumë minimale për shërbimin e ofruar dhe çdo gjë është me faturë. Si t’ua shpjegoj unë këtë gjë vajzës sime të mitur, prindërve të mi që kanë rritur fëmijët me shumë vështirësi. Për sa i përket bisedave të mia me Ina Goxhajn. Po unë e kam takuar vajzën në fjalë si një person me të cilin kam punuar dikur, me të cilën kam marrëdhënie familjare. E kam qetësuar që të thotë të vërtetën. Si jurist i kam sqaruar një kushërire, një të afërmi të drejtat e saj as nuk e kam penguar të fshehë gjë dhe as të fshehë ndonjë provë sepse jam e para interesuar që të dalë e vërtetë. Nuk e di çfarë ka ndodhur në prokurori dhe si në tursni kushëra ime mund të ketë nxjerrë nga konteksti deklaratat e saj apo atë që kam biseduar me të.” – tha ndër të tjera Bushka.