Commerzbank e Gjermanisë po përgatit shkurtime të stafit dhe objektiva të rinovuara financiare në përpjekjet e saj për të shmangur gëlltitjen nga UniCredit e Italisë, thanë për Reuters shumë njerëz me njohuri të drejtpërdrejta mbi planet.
Katër prej tyre thanë, megjithatë, se masat do ishin më shumë evolucionare sesa radikale, ndërsa disa pranuan se marrja e bankës gjermane, e cila pa çmimin e aksioneve të saj të rriteshin me 50% që kur UniCredit sinjalizoi për herë të parë interesin, mund të jetë e vështirë të ndalet.
Beteja për Commerzbank, duke vënë përballë një nga bankat më të mëdha të Italisë kundër gllabërimit të rivalit gjerman, është bërë një provë e aftësisë së vendit për të shmangur konkurrentët e huaj dhe për të parandaluar që qendra e saj financiare të humbasë një nga pak bankat e saj të mëdha tregtare të mbetura.
Shkurtimet e vendeve të punës do arrijnë në disa mijëra njerëz, thanë dy prej njerëzve, ndërsa një i tretë tha se ato do preknin midis 3,000 dhe 4,000 njerëz nga një fuqi punëtore prej rreth 42,000 punonjësish.
Të gjithë folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së diskutimeve në vazhdim.
Bordi mbikëqyrës i Commerzbank është vendosur të diskutojë shkurtimet e kostove dhe qëllimet e reja me drejtuesit në një takim ditën e sotme dhe banka do prezantojë strategjinë e re para publikut të enjten.
Për muaj të tërë, ekipi drejtues i Commerzbank, nën udhëheqjen e shefes Bettina Orlopp, ka punuar për një përditësim të strategjisë që ajo ka thënë se do zbulonte “potencialin e rëndësishëm të vlerës” të bankës së dytë më të madhe në Gjermani.
Commerzbank, e cila është pjesërisht në pronësi të shtetit dhe i ka etiketuar lëvizjet e UniCredit si armiqësore, nuk pranoi të komentojë.
Njoftimi i së enjtes ka për qëllim të shënojë një ëast domethënës në përpjekjen e bankës e dytë të Gjermanisë për të bindur investitorët e saj se mund të lulëzojë si një kompani e pavarur.
Andrea Orcel, kreu i UniCredit, tronditi korporatat dhe politikën e Gjermanisë vitin e kaluar kur banka e tij italiane – gjithashtu numri 2 vendit apenin – rrëmbeu një sasi të madhe aksionesh në Commerzbank dhe filloi të bëjë presion për një bashkim në përpjekjen më ambicioze deri tani për një bashkim të bankave pan-evropiane.