Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke ritheksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit profesional të prokurorëve.
KLP thekson mbështetjen e saj ndaj institucionit të prokurorisë për ushtrimin e detyrave në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, në përputhje me ligjin.
“Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës,” thuhet në deklaratë.
Këshilli u bën thirrje të gjithë aktorëve të respektojnë pavarësinë e prokurorëve dhe të shmangin çdo lloj ndikimi të jashtëm që mund të cenojë integritetin e tyre.
Sipas KLP-së, besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe garantimi i një sistemi ligjor të drejtë e transparent varen nga mbrojtja e këtyre parimeve.
“Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent”, u shpreh KLP.
Kujtojmë se edhe më herët një reagim pati edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke thënë se ka ndjekur me vëmendje deklaratat e bëra nga aktorët politikë dhe jo vetëm, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në reagim.
Ndër të tjera, Këshilli u bën thirrje të gjithë aktorëve të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cënojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit dhe se pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
“Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, deklaron KLGJ.