Dhjetëra mbështetës të Veliajt mblidhen para Gjykatës së Posaçme (Video)


Dhjetëra mbështetës të kryebashkiakut Veliaj janë mbedhur para Gjykatës së Posaçme ku po mbahet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë.

Ata kanë duartrokitur e brohoritur emrin e Veliajt, i cili u arrestua dy ditë më parë me kërkesë të SPAK-ut., raportongazetarja Klodian Lala për News24.

Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Sipas SPAK, Veliaj dyshohet krijoi një skemë korruptive, mes kompanive të bashkëshortes dhe 6 biznesmenë pranë tij. Ajola Xoxa u kthye brenda ditës nga një udhëtim në Itali, për të zbatuar masën e arrestit shtëpiak.

SPAK thotë se Veliaj ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek 5 biznesmenët ndaj të cilëve është caktuar masa arrest me burg.

Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetasja Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh. SPAK thotë se përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules u gjeneruan 1.1 mln euro.