Bushka për vendosjen nën hetim nga SPAK: Nuk e kam penguar Ina Goxhajn, as kam tentuar të fsheh të vërtetën


Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, ka reaguar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste pas përfshirjes së saj në hetimet e SPAK. Ajo ka pranuar se ka takuar Ina Goxhajn, e cila është kushërira e saj, por ka mohuar çdo akuzë për ndikim apo pengesë të hetimeve.

Ajo shtoi se ka kritikuar kushërirën e saj për faktin se adresa e organizatës ku Goxhaj ishte drejtoreshë nuk ishte ndryshuar që prej vitit 2017, edhe pse i kishte kërkuar ta bënte këtë disa herë. 

“Sa i përket pretendimit për pengesë të së vërtetës. Po e kam takuar vajzën në fjalë si person që kam punuar më parë dhe kam lidhje gjaku.

Ina Goxhaj është kushërira ime. E kam qetësuar duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe i kam sugjeruar si juriste një kushërire të drejtat e saj. vetëm kaq, nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fsheh ndonjë të vërtetë sepse jam e para e interesuar që e vërteta të dalë.

E kam kritikuar kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo ishte drejtoreshë nuk ishte ndryshuar nga viti 2017 edhe pse ia kisha kërkuar disa herë këtë gjë.

Nuk di të shpjegoj çfarë ka ndodhur në prokurori apo çfarë trysnie ka ndjerë kushërira ime, që në bisedat tona private ajo i ka sjellë me kontekst tjetër.

Kjo është e vërteta ime, por për këtë nuk jam thirrur kurrë”, tha Bushka.