
Majtas Hektor Xheçuka, djathtas Ervis Xhxha
Fredi Keta është arrestuar nga policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim pasi në bashkëpunim me disa persona të tjerë akuzohen për rrëmbimin e Ervis Xhixhës dhe kanosjen e tij për t’i marrë 70 mijë euro. 40-vjeçari ka dhënë identitet të rremë në kohën e ndalimit, thuhet në njoftimin e policisë.
Fredi Keta dhe Hektor Xheçuka si dhe persona të tjerë njihen si pjesë e grupit të Ervis Martinajt, i zhdukur që prej gushtit 2023.
Xheçuka është ende në kërkim dhe dyshohet se ndodhet në Dubai ndërsa Aleksandër Osmani, 37 vjeç e Artan Pirraci, 50 vjeç janë arrestuar në korrik 2024.
Asokohet në arrest shtëpie për ngjarjen u lanë ish-presidenti i ekipit të Kamzës Naim Qarri, 52 vjeç, Sajmir Kolaveri, 42 vjeç e Adem Metkola, 46 vjeç.
Ervis Xhixha gjithashtu është emër i njohur për drejtësinë, pasi u arrestua në vitin 2019, për shkak se tentoi të vrasë në Zall Herr Bujar Beshirin, pas një konflikti me këtë të fundit, por më pas qëlloi në ajër.
“Shtetasi Fredi Keta, 40 vjeç, banues në Tiranë, u kap nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative. Në momentin e ndalimit, ai tentoi të mashtrojë policinë duke dhënë gjeneralitete të rreme. Sipas hetimeve, në korrik 2024, në bashkëpunim me shtatë persona të tjerë, Fredi Keta ka rrëmbyer Ervis Xhixhën dhe e ka kanosur atë për t’i marrë një shumë parash prej 70 mijë eurosh. Më herët, në korrik, u arrestuan katër prej bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa tre të tjerë u vendosën në arrest shtëpie. Gjykata e Tiranës kishte vendosur ndaj Fredi Keta masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryera në bashkëpunim. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”