Meta: Kur po dëgjoja skizofrenin të fliste për standardet e drejtësisë më kontrolluan për 20 minuta, s’ka Duman që i bën derman


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar për tri akuza të rënda, ka denoncuar nga Burgu 313 një presion dhe shkelje të të drejtave të njeriut nga administrata e paraburgimit.

Në një audio-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Meta tha se teksa po hante mëngjes, i është bërë një kontroll i befasishëm dhe i detajuar, pikërisht në momentin kur kryeministri Edi Rama po mbante një fjalim për drejtësinë.

Meta e quajti Ramën “skizofren” dhe akuzoi qeverinë për abuzime me inceneratorët dhe lejet e ndërtimit. Ai kërkoi që SPAK dhe kreu i tij, Altin Dumani, të hetojnë shkresat dhe faktet që, sipas tij, dëshmojnë korrupsionin e qeverisë.

Reagimi i plotë Ilir Metës me audio-mesazh në Facebook:

“Të dashur qytetarë,

Unë jam Ilir Meta, banor i qelisë Nr.5, i cili sot në orën 09:20 po hante mëngjes dhe po dëgjonte fjalimin e një skizofreni, i cili po fliste për standardet europiane që duheshin në fushën e drejtësisë dhe çuditërisht hapet qelia Nr.5 dhe më kërkohet të bëhet një kontroll i posaçëm, për të ndërprerë ngrënien e bukës, për të dalë përjashta.

Pasi u bë kontrolli im i imët fizik i trupit, pastaj u bë kontroll i imët për gati 20 minuta në të gjithë qelinë, përfshirë edhe frigoriferin, që nuk kishte ndodhur asnjëherë, por ndodhi rastësisht besoj gjatë fjalimit të këtij skizofreni që fliste për standardet e drejtësisë, për standardet europiane, që i garantonte partia e inceneratorit që nuk ekziston dhe që vetëm Dumani nuk e shikon.

Natyrisht që ky nuk është kontrolli i parë, këtu kontrolle bëhen çdo ditë, kontrollohet qelia ime se mos unë sharroj hekurat e qelisë dhe arratisem, por doja t’ju vija në dijeni për rastësinë që ndodhi sot, siç ka edhe rastësi të tjera të cilat tregojnë fytyrën e vërtetë të standardeve europiane.

I bëj thirrje çdo opozitari, që kur del në emisione, që kur del në Parlament, të marrë shkresën e vitit 2017 që ka firmosur, sipas ish – Zv/Kryeministër Ahmetaj, Erion Veliaj duke vjedhur dhe rrëmbyer kompetencat e Këshillit Bashkiak të Tiranës me porosi të Edi Ramës për inceneratorin që nuk ekziston dhe që paguajnë të gjithë qytetarët e Tiranës tani 90 mijë euro çdo ditë.

Këto shkresa t’ja tregojë Dumanit dhe të gjithë atyre që flasin për “Drejtësinë e Re”.

Të marrin dhe shkresën e Edi Ramës, që ka shpallur kompaninë fituese të inceneratorit me 8 pikë pa u krijuar ligjërisht dhe të tregojë standardet e vërteta të drejtësisë së Edi Ramës.

Njëkohësisht të marrë edhe procesin gjyqësor kundër McGonigalit, ku del Edi Rama të paktën 14 herë për korrupsion dhe t’ja u tregojë të gjithëve standardet e lobimit të Edi Ramës edhe të Dumanit, që i mban aty në sirtar.

Nuk ka asnjë mënyrë dhe asnjë formë frikësimi ndaj Ilir Metës dhe të gjithë shqiptarëve të cilët do t’i tregojnë vendin këtij skizofreni që sot premtoi se do vjedhë zgjedhjet dhe mbasi të vjedhë zgjedhjet do të vendosi standarde europiane.

Ndërkohë të gjithë i dinë standardet e tij, të gjithë e dinë korrupsionin e tij.

Se si i korrupton ky ndërkombëtarët e di e gjithë bota, tani është radha e shqiptarëve për t’i thënë këtij, i cili thotë se drejtësia funksionon vetëm kur punon dhe rrëmben kundërshtarët e mi politik, por kur më kërcënon mua me “tigrin’’ Erion Veliaj, sigurisht që këtu nuk ka më drejtësi, ka diktaturë.

Prandaj, të gjithë të mobilizohen, mos i ndani ato shkresa, ato fakte që ulërasin prej vitesh e vitesh dhe vetëm Dumani i këtij nuk i shikon, se nuk ka Duman që i bën më derman këtij. Faleminderit!”