Saimir Tola propozohet për të marrë detyrën e Kryetarit të Bordit të AMF


Komisioni i Ekonomisë i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë kandidaturën e Saimir Tolës për vendin vakant të Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Saimir Tola është pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike në Universitetin Politeknik të Tiranës, në lëndët e Analizës Numerike dhe Analizës Matematike.

Përveç formimit akademik të lidhur me aktuaristikën, lidhja e kandidatit në fjalë me sektorin financiar është e kufizuar në pozicionin e anëtarit joekzekutiv të Bordit Drejtues (me kohë të pjesshme) në kompaninë e sigurimeve INSIG për Maqedoninë e Veriut, në periudhën 2014-2016, periudhë kur INSIG ishte ende në pronësi të shtetit shqiptar.

Saimir Tola u përzgjodh nga një listë prej gjashtë kandidatësh që apikuan në Kuvendin e Shqipërisë, listë ku përveç tij bënin pjesë edhe Artur Ribaj, Emis Cerava, Julian Naqellari, Petrit Perhati dhe Valbona Sanxhaktari.

Posti i kryetarit të Bordit të AMF-së është vakant që prej datës 22 korrik të vitit të kaluar, pas përfundimit të mandatit të Olsi Çokut. Fillimisht, në tetor 2024 Komisioni Kuvendor i Ekonomisë shqyrtoi dhe miratoi Pajtim Melanin si kandidat të vetëm për këtë pozicion, duke e propozuar për votim në seancë plenare.

Megjithatë, kandidatura e Melanit u rrëzua në votim. Rrjedhimisht, Kuvendi i Shqipërisë rihapi garën për këtë pozicion në mesin e muajit nëntor 2024. Sipas ligjit “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, Kryetari i Bordit emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, pas një procedure përzgjedhëse.

Mandati i çdo anëtari të Bordit, duke përfshirë kryetarin është 5 vjet dhe mund të rizgjidhen për një mandat të dytë pas përfundimit të mandatit të tyre. Kryetari i Bordit të AMF-së është anëtar joekzekutiv dhe jo me kohë të plotë.

Sipas ligjit, Kryetari i Bordit ka kompetencë të thërrasë dhe drejtojë mbledhjet e Bordit, të paraqesë rendin e ditës, të urdhërojë ngritjen e komiteteve të kontrollit, objektin e punës, si dhe afatet për shqyrtimin e çështjes, t’i propozojë Bordit ngritjen e komiteteve këshillimore, me qëllim hartimin e politikave për mbarëvajtjen e punës së Autoritetit, si edhe kompetenca të tjera, të akorduara me vendimmarrje të vetë Bordit./ E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor