Trump zhvillon bisedë telefonike me Putin, i kërkon fillimin e menjëhershëm të negociatave për Ukrainën


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë të gjatë dhe “shumë produktive” me presidentin rus, Vladimir Putin.

Përmes një postimi në platformën e tij, Truth Social, Trump bëri të ditur se gjatë telefonatës janë diskutuar çështje të rëndësishme, përfshirë luftën në Ukrainë, situatën në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet në teknologjinë e inteligjencës artificiale. 

Trump deklaroi se negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të fillojnë menjëherë, megjithëse nuk dha detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e diskutimeve apo ndonjë plan konkret për ndërmjetësim. 

Ndërkohë, në Kongresin Amerikan, një nënkomitet i Dhomës së Përfaqësuesve ka zhvilluar një seancë dëgjimore mbi rolin e Departamentit të Efikasitetit Qeveritar (Doge), një entitet i krijuar nga Elon Musk, për të luftuar pretendimet për “pagesa të parregullta” dhe “mashtrime” në institucionet federale.

Kjo seancë vjen një ditë pas firmosjes së një urdhri ekzekutiv nga Donald Trump, i cili i jep më shumë kompetenca këtij departamenti, pavarësisht se nuk është një agjenci zyrtare qeveritare. 

Në Senatin amerikan po zhvillohet gjithashtu një dëgjesë mbi rëndësinë gjeostrategjike të Groenlandës për SHBA-në, pas deklaratave të mëparshme të Trump për mundësinë e blerjes së territorit danez. Kjo ide është refuzuar nga qeveria daneze dhe nga autoritetet vendore të Groenlandës. 

Nga ana tjetër, të dhënat e fundit ekonomike tregojnë një rritje të papritur të inflacionit. Sipas statistikave të publikuara mëngjesin e sotëm, norma e inflacionit në janar arriti në 3%, duke tejkaluar parashikimet e ekonomistëve që prisnin një nivel prej 2.9%. 

Më vonë gjatë ditës, të gjithë 13 kryeministrat provincialë të Kanadasë do të takohen me anëtarë të administratës amerikane në Uashington, pas dy propozimeve të fundit të Trump për vendosjen e tarifave tregtare ndaj Kanadasë.