Rreth 75,000 punonjës federalë amerikanë pranuan ofertën e administratës Trump, tha një zëdhënës i Zyrës së Menaxhimit të Personelit të SHBA-së vonë të mërkurën.
Oferta është një nga shumë qasjet që Trump po ndërmerr për të shkurtuar një forcë punëtore civile prej 2.3 milionë punonjësish, të cilën ai e ka cilësuar si joefektive dhe të njëanshme kundër tij.
Ai ka urdhëruar gjithashtu agjencitë qeveritare të përgatiten për shkurtime të gjera të vendeve të punës dhe disa tashmë kanë filluar të pushojnë të punësuarit e fundit. Zyrtarëve u është thënë të përgatisin shkurtime të stafit deri në 70% në disa agjenci, thonë burimet.
Sindikatat u kishin kërkuar anëtarëve të tyre që të mos pranonin ofertën dhe kanë paralajmëruar se Trump-it nuk mund t’i besohet ta respektojë atë.
Oferta premton t’u paguajë punonjësve pagat dhe përfitimet e tyre të rregullta deri në tetor pa u kërkuar të punojnë. Ligjete tanishme të shpenzimeve skadojnë më 14 mars dhe nuk ka asnjë garanci që pagat do financohen përtej kësaj pike.
Trump ka vendosur miliarderin Elon Musk në krye të Departamentit të sapokrijuar të Efikasitetit të Qeverisë, i cili po shqyrton të dhënat e pagesave dhe personelit në një përpjekje për të shkurtuar 1 trilion dollarë nga buxheti federal, i cili arriti në 6.75 trilion dollarë vitin e kaluar. Pagat e punonjësve civilë përbëjnë 5% të këtij totali.