Debat në Kuvend/ “Është e papranueshme që të fyeni zyrtarë të lartë” – Dogjani-Spiropalit: Mbylle gojën


Një përplasje e ashpër u zhvillua sot në Kuvend mes kryetares së seancës, Elisa Spiropali, dhe deputetit të Partisë Demokratike, Asllan Dogjani. Debati nisi kur Dogjani përmendi ngjarjen tragjike të një 17-vjeçareje në Gjirokastër, e cila sipas tij, u vetëvra për shkak të bullizmit dhe varfërisë.

Dogjani përmendi gjithashtu rastin e 14-vjeçarit Martin Cani, duke akuzuar qeverinë se ka lënë familjet shqiptare në dhimbje për shkak të neglizhencës së institucioneve. Ai vijoi me akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama:
“Kemi një kryeministër që sillet me brekë nëpër zyrat e shtetit.”

Në përgjigje, kryetarja e seancës, Elisa Spiropali, reagoi menjëherë ndaj gjuhës së përdorur nga deputeti i opozitës:
“Zoti Dogjani, përfundo fjalën tuaj! Mos guxoni të flisni me fyerje dhe shpifje në këtë foltore,” tha Spiropali me ton të ashpër.

Asllan Dogjani: Një 17-vjeçare në Gjirokastër u vetëvar, sepse bullizohej nga shokët e shoqet e klasës. 17-vjeçaren e vrau Edi Rama se e la të varfër, sepse e la të pamundur të vishte një fustan, e vrau shteti se nuk kishte mundësi të vishej si shoqet e veta. Jeni të pashpirt.

Mendoni se çfarë dhimbje kanë prindërit e kësaj 17-vjeçareje sepse psikologët e shkollës nuk bënë asgjë për të parandaluar këtë ngjarje të rëndë.

Nuk bëtë gjë as për 14-vjeçarin Martin Canin, duke lënë prindërit në dhimbje të madhe.

Rama e ka kthyer Ministrinë e Brendshme në një vegël për pushtetin e tij. Si mund të mbani përgjegjësi, kur keni kryeministër që jeton si monark.

Kemi kryeministër që sillet me brekë nëpër këmbë nëpër zyrat e shtetit, e ka thënë zv ministri, sepse dukshëm nuk është mirë nga koka.

Elisa Spiropali: Përfundo fjalën. Mos guxoni të flisni mbi fyerje e shpifje.

Asllan Dogjani: Mbylle ti gojën. Po them atë që kanë thënë bashkëpunëtorët tuaj.

Elisa Spriopali: Është e papranueshme që të fyeni zyrtarë të lartë, kryeministrin, ministra apo deputetë.