Kreu i qeverisë tha se pa atë dhe pa PS-në nuk do ketë SPAK pasi kryedemokrati Berisha të cilin e quajti “buf kënete” ka për të shkrirë prokurorinë speciale.
Ai shtoi se PS-ja është lis i madh dhe nuk hiqet kollaj ndërsa ironizoi partitë e reja duke thënë se janë pellgje dhe se janë njësoj si PD-ja e Berishës në metoda e sjellje.
“Pa Edi Ramën dhe PS nuk ka SPAK. Sepse bufi i kënetës e thotë në mënyrë deklaratave më jepni votën që ta shkrij SPAK. Pra, nëse spak nuk e garanton kjo kocka këtu dhe PS bashkë me mua, nuk mund të garantojnë pellgaçet përreth dhe partickat që kanë të re vetëm pronarin e tyre, sepse kanë të njëjtën metodë e sjellje si ajo e bufit të kënetës, janë si mrokulla të vogla. I bëjnë temena SPAK se do i heqi kundërshtarët, e këta do rriten. Sepse është lis i madh PS, është lis i madh, nuk hiqet kollaj. Nuk jam unë që kundërshtoj SPAK-un, siç kanë vënë kujën të tjerët. Në këtë pikë qëndrimi ynë nuk ndryshon, është e qartë. Por deri tani në dosje, në asnjë paragraf të vetëm, unë s’e kam lexuar dosjen, më jepni një paragraf, apo provë që për prokurorin është e arsyeshme për ta ulur në gjyq, që kryetari i bashkisë ka vepruar në thyerje të ligjit. Apo raste të tjera kur kemi vepruar për heqjen e imunitetit në Kuvend, për t’i dhënë SPAK mundësi për ndonjë anëtar të parlamentit.” – tha Rama.