Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se një kthim në kufijtë para vitit 2014 i Ukrainës ishte jorealist dhe administrata Trump nuk e sheh anëtarësimin në NATO për Kievin si pjesë të një zgjidhjeje për luftën e shkaktuar nga pushtimi i Rusisë.
Duke folur në një takim të aleatëve ushtarakë të Ukrainës në selinë e NATO-s në Bruksel të mërkurën, Hegseth dha deklaratën publike më të qartë dhe më të hapur deri më tani mbi qasjen e administratës së re të SHBA ndaj luftës gati tre-vjeçare.
“Ne duam, ashtu si ju, një Ukrainë sovrane dhe të begatë. Por ne duhet të fillojmë duke pranuar se kthimi në kufijtë e Ukrainës para 2014 është një objektiv jorealist,” tha Hegseth në takimin e zyrtarëve ukrainas dhe më shumë se 40 aleatëve.
“Ndjekja e këtij qëllimi iluzionar vetëm do zgjasë luftën dhe do shkaktojë më shumë vuajtje,” shtoi ai.
Ai u tha gjithashtu aleatëve të NATO-s të Uashingtonit se ata do të duhet të rriten dhe të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e Evropës. Ai tha se “të vërtetat e zymta strategjike”, çështje të tilla si siguria kufitare e SHBA-së dhe kërcënimet e paraqitura nga Kina, e penguan SHBA-në të “përqendrohej kryesisht në sigurinë e Evropës”.
Vërejtjet e tij për Ukrainën ishin një ndryshim i madh nga qëndrimi i administratës Biden dhe shumë prej aleatëve më të afërt të Ukrainës, të cilët kishin deklaruar se do e mbështesnin Kievin për aq kohë sa të ishte e nevojshme dhe theksuan rëndësinë e integritetit territorial.
Komentet e tij sugjeruan gjithashtu se Kievit do t’i duhej të braktiste disa nga qëllimet kryesore të luftës – rifitimin e territorit të pushtuar nga Rusia dhe sigurimin e mbrojtjes nga sulmet e ardhshme përmes anëtarësimit në aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA.
Ndërsa zyrtarët e administratës Trump kishin sinjalizuar për disa kohë se nuk do t’i mbështesin ato qëllime, vërejtjet e Hegseth në kamera e bënë të qartë këtë qëndrim për publikun global.
Ndonëse Ukraina synon të dëbojë të gjitha trupat ruse nga territori i saj për pjesën më të madhe të luftës, ajo ka pranuar gjithnjë e më shumë se rimarrja e tokës së saj me forcë është e pamundur dhe se diplomacia është një kurs më i mundshëmveprimi më realist.
Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
S’do dërgojmë trupa amerikane në Ukrainë
Hegseth tha se çdo paqe e qëndrueshme duhet të përfshijë “garanci të forta sigurie për të siguruar që lufta nuk do fillojë më”. Por ai tha se trupat amerikane nuk do vendosen në Ukrainë si pjesë e garancive të tilla.
Ai tha gjithashtu se “Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se anëtarësimi në NATO për Ukrainën është një rezultat i mundshëm i një zgjidhjeje të negociuar”.
Në vend të kësaj, garancitë e sigurisë duhet të mbështeten nga “trupa të afta evropiane dhe jo-evropiane”, tha shefi i Pentagonit.
“Nëse këto trupa dislokohen si paqeruajtës në Ukrainë në çdo moment, ato duhet të vendosen si pjesë e një misioni jo-NATO dhe nuk duhet të mbulohen nga neni 5,” tha ai, duke iu referuar klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë të aleancës.
Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Detit të Zi nga Ukraina në mars 2014 dhe më pas mbështeti separatistët pro-rusë në një kryengritje të armatosur kundër forcave të Kievit në rajonin lindor Donbas të Ukrainës.
Moska aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, kryesisht në lindje dhe jug.