Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet” Lapaj dhe ai i “Nismës Thurje” Shabani kanë marrë pjesë në një tubim në mbështetje të SPAK-ut. Lapaj tha se ka një aleancë të ndyrë politike kundër SPAK-ut dhe se prokurorët nuk do jenë vetëm në luftën kundër korrupsionit.
“Këtu ka një aleancë të ndyrë kundër ligjit. Prandaj, ne i japim kurajo çdo njeriu të ligjit që shoqëria nuk i lë vetëm. Duhet të ndërtojmë një shtet, ku njerëzit të përballen me ligjet. As nuk linçohen njerëzit, por as nuk linçohet drejtësia. Në çdo rast duhet që njerëzit të përballen me institucionin. Duhet të ndërtojmë institucione. Nuk mundet që institucionin ta sulmosh kaq egër.” – tha Lapaj.
Ndërsa kreu i “Nisma Thurje” Shabani tha se SPAK ka mbështetjen e popullit dhe se kryeministri Rama ka dalë nga shinat dhe se të gjithë ata që vjedhin popullin do shkojnë në burg.
“Jemi këtu për të mbështetur SPAK-un. Edi Rama doli haptazi duke sulmuar SPAK. Rama po prish provat, po intimidon dëshmitarët, ka shkuar në zyrën e Bashkisë dhe ka uzurpuar pushtetin vendor, ka dalë nga shinat. SPAK ka mbështetjen e popullit shqiptar. Kushdo që vjedh popullin shqiptar e ka vendin te burgu 313, te burgu i Durrësit, te burgu i Elbasanit. Askush mos të synojë politikën për të vjedhur popullin shqiptar.” – tha Shabani.