Akuzat për statusin e Veliajt, reagon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve: Është i padënuar, ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie


Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pasi në dosjen hetimore të Erion Veliajt, kryebashkiaku cilësohet si person i dënuar.

Drejtoria e Burgjeve sqaron se pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, Veliaj rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie.

Gjithashtu sqaron se në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka deklaruar se Erion Veliaj nuk është i dënuar. Në përgjigje të kërkesës së SPAK,  në një njoftim për mediat, institucioni i Burgjeve ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

“Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se, në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me shkresën nr. 2215/prot., datë 12.02.2025, ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për shtetasin E. V., i biri i L. dhe Sh., lindur më 17.12.1979.

Pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie.

Sqarojmë se, në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.