Prokuroria e Posaçme kërkon shpalljen fajtor të deputetit demokrat Gazment Bardhi, në gjyqin për shpifje pas akuza që hodhi në drejtim të ish-kryepolicit së Shkodrës Edmond Sulaj se ishte emëruar nga krimi.
Avokatët e Bardhit kërkuan pafajësi me argumentin se është deputet dhe nuk e ka pasur personalisht me Sulën. Gjyqtarja Flojera Davidhi është tërhequr për vendim, përcjell Shqiptarja.
Në seancën parlamentare të 12 shtatorit 2024, Gazment Bardhi lexoi disa përgjime në SkyECC, kur pretendoi se Pëllumb Gjoka dhe Ardit Hasanbegaj, të arrestuar për dosjen Metamorfoza, flisnin për emërimin e “Mondit”, i cili sipas tij u duhej një dimër aty. Sipas Bardhit, flisnin për Edmond Sulajn, i cili u emërua 1 muaj më vonë në detyrë. Por në fakt biseda i përkiste vitit 2021, ndërsa Sulaj u emërua si kryepolic i Shkodrës në tetor 2023, 2 vite pasi SkyECC nuk ekzistonte më.
“Kodi DGLXJM: Mua Mondi (Edmond Sulaj, kryepolici aktual i Shkodrës) më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër. Është përfaqësuesi i një prej bandave më të rrezikshme në vend”, kështu deklaroi Gazment Bardhi më 12 shtator 2024.
Për këto deklarata të rënda, mbrojtja ligjore e Edmond Sulës kërkon dënim ndaj Gazment Bardhit pasi me shpifje ka njollosur karrierën 28-vjeçare të një efektivi policie, por i kanë sjellë edhe pasoja familjare.