Arabia Saudite nxiton t’i ofrojë Trump-it alternativën ndaj planit të tij për Gazën


Arabia Saudite po kryeson përpjekjet urgjente arabe për të zhvilluar një plan për të ardhmen e Gazës si kundërvënie ndaj ambicieve të presidentit amerikan Donald Trump për një rivierë në Lindjen e Mesme të pastruar nga banorët e saj palestinezë, thane dhjetëra burime.

Projektidetë do diskutohen në një takim në Riad këtë muaj, ku marrin pjesë Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Propozimet mund të përfshijnë një fond rindërtimi të udhëhequr nga vendet e Gjirit Arabik dhe një marrëveshje për të mënjanuar Hamasin, thanë pesë nga burimet.

Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë ishin të tronditur nga plani i Trump për të “spastruar” palestinezët nga Gaza dhe rivendosjen e shumicës së tyre në Jordani dhe Egjipt, një ide e kundërshtuar menjëherë nga Kajro dhe Amani dhe e parë në pjesën më të madhe të rajonit si thellësisht destabilizuese.

Shqetësimi në Arabinë Saudite u përkeqësua, thanë burimet, sepse plani do eliminonte kërkesën e mbretërisë për një rrugë të qartë drejt shtetësisë palestineze si kusht për të normalizuar lidhjet me Izraelin – diçka që do të hapte gjithashtu rrugën për një pakt ambicioz ushtarak midis Riadit dhe Uashingtonit, përtë mbështetur mbrojtjen e mbretërisë kundër Iranit.

Reuters foli me 15 burime në Arabinë Saudite, Egjipt, Jordani dhe gjetkë për të krijuar një pamje të përpjekjeveurgjente nga shtetet arabe për të bashkuar propozimet ekzistuese në një plan të ri që mund t’ia shesin presidentit të SHBA-ve, madje duke e quajtur atë një “plan Trump” për të fituar miratimin e tij.

Të gjitha burimet nuk pranuan të identifikoheshin sepse çështja përfshin ndjeshmëri ndërkombëtare ose vendase dhe ata nuk ishin të autorizuar të flisnin në publik.

Një burim i qeverisë arabe tha se të paktën katër propozime ishin hartuar tashmë për të ardhmen e Gazës, por një propozim egjiptian tani po dilte si qendror në shtytjen arabe për një alternativë ndaj idesë së Trump.

PROPOZIMI EGJIPTIAN

Propozimi i fundit egjiptian përfshin formimin e një komiteti kombëtar palestinez për të qeverisur Gazën pa përfshirjen e Hamasit, pjesëmarrjen ndërkombëtare në rindërtim pa zhvendosur palestinezët jashtë vendit dhe lëvizjen drejt një zgjidhjeje me dy shtete, thanë tre burime egjiptiane të sigurisë.

Arabia Saudite, Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe përfaqësuesit palestinezë do shqyrtojnë dhe diskutojnë planin në Riad përpara se ai të paraqitet në një samit të planifikuar arab më 27 shkurt, tha burimi i qeverisë arabe.

Roli i Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, i njohur gjerësisht si MbS, po dëshmohet të jetë kyç në këtë çështje.

“Ne po u themi amerikanëve se kemi një plan që funksionon. Takimi ynë me MbS do të jetë kritik. Ai po merr drejtimin,” tha një zyrtar jordanez.

Princi i kurorës kishte një marrëdhënie të ngrohtë me administratën e parë Trump dhe është gjithnjë e më qendrore në lidhjet arabe me Shtetet e Bashkuara gjatë epokës së re të Trump.

Prej kohësh një partner i madh rajonal për Shtetet e Bashkuara, princi i kurorës po zgjeron marrëdhëniet e Arabisë Saudite përmes biznesit dhe politikës së fuqisë globale.

Fondi i pasurisë sovrane të Arabisë Saudite po mban një konferencë në Miami këtë muaj, ku Reuters zbuloi se Trump pritet të marrë pjesë. Riadi pritet gjithashtu të presë bisedimet e tij të ardhshme me presidentin rus Vladimir Putin në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj disa kërkesave për koment mbi këtë çështje.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, duke folur të enjten, iu referua takimit të ardhshëm arab, duke thënë: “Tani për tani i vetmi plan është plani i Trump. Nëse ata kanë një plan më të mirë, tani është koha për ta paraqitur atë.”

Zëdhënësit për Arabinë Saudite, Egjiptin, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të Reuters për koment.

ZONA TAMPON

Planet e qarta për të ardhmen e pasluftës së Gazës janë provuar tashmë të vështira për t’u zhvilluar pasi ato nxisin debate të diskutueshme në lidhje me qeverisjen e brendshme të territorit, menaxhimin e sigurisë, financimin dhe rindërtimin.

Izraeli tashmë ka hedhur poshtë çdo rol të Hamasit apo Autoritetit Palestinez në qeverisjen e Gazës, apo garantimin e sigurisë atje. Vendet arabe dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë gjithashtu se nuk duan të vendosin trupa në terren për ta bërë këtë.

Shtetet e Gjirit, të cilat historikisht kanë paguar për rindërtimin në Gaza, kanë thënë se nuk duan ta bëjnë këtë këtë herë pa garanci se Izraeli nuk do e shkatërrojë më atë që ata ndërtojnë.

Mbreti Abdullah i Jordanisë i tha presidentit Trump të hënën në takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë se ai po punonte me Arabinë Saudite dhe Egjiptin për një plan të Gazës që do funksiononte, tha një zyrtar jordanez.

Abdullah tha në komentet televizive pas takimit se vendet do shqyrtojnë një plan egjiptian dhe “ne do jemi në Arabinë Saudite për të diskutuar se si mund të punojmë me presidentin dhe Shtetet e Bashkuara”.

Reuters nuk mundi të kontaktonte menjëherë ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ayman Safadi për koment. Pas takimit të Abdullahut me Trump, Safadi tha: “Tani jemi duke punuar në kristalizimin e planit arab”.

Propozimet fillestare të ndarë nga tre burimet egjiptiane të sigurisë në lidhje me rindërtimin dhe financimin duken të avancuara.

Një zonë tampon dhe barrierë fizike do ngrihet për të ndaluar ndërtimin e tuneleve përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin. Sapo të hiqen rrënojat, 20 zona do krijohen si zona të përkohshme banimi. Rreth 50 kompani egjiptiane dhe të tjera të huaja do silleshin për të kryer punën.

Financimi do përfshijë para ndërkombëtare dhe të Gjirit, tha një burim rajonal me njohuri për këtë çështje. Një fond i mundshëm mund të quhet Fondi Trump për Rindërtim, tha zyrtari i qeverisë arabe.

Megjithatë, çështjet më të vështira rreth qeverisjes së Gazës dhe sigurisë së brendshme mbeten për t’u vendosur, tha zyrtari.

Nxjerrja jashtë loje e Hamasit nga çdo rol në Gaza do ishte kritik, thanë zyrtari arab dhe tre burime egjiptiane.

Hamasi ka thënë më parë se është i gatshëm t’ia dorëzojë qeverinë në Gaza një komiteti kombëtar, por ai do dëshironte një rol në zgjedhjen e anëtarëve të tij dhe nuk do të pranonte dislokimin e ndonjë force tokësore pa pëlqimin e tij.

Tre burimet egjiptiane thanë se ndërsa asgjë në plan nuk ishte shumë e re, ata besonin se ishte e mhaftueshme për të ndryshuar mendjen e Trump dhe se mund t’i imponohej Hamasit dhe Autoritetit Palestinez nën Mahmud Abbas.

ACARIMI SAUDIT

Acarimi saudit për Gazën ishte rritur tashmë përpara njoftimit të Trump. Mbretëria kishte thënë vijimësisht se normalizimi me Izraelin ishte i kushtëzuar nga një rrugë për krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor.

Ky qëndrim u ngurtësua ndërsa zemërimi publik saudit u rrit për shkatërrimin dhe vdekjet në Gaza. Në nëntor, princi i kurorës akuzoi publikisht Izraelin për gjenocid gjatë një samiti islamik dhe përsëriti nevojën për një zgjidhje me dy shtete.

Frustrimi ishte i lartë në mbretëri për luftën në vazhdim, thanë dy burime rajonale të inteligjencës.

Uashingtoni dukej i gatshëm të tejkalonte kërkesën e Riadit për dy shtete. Një ditë para njoftimit të tij për Gazën, Trump u pyet nëse një marrëveshje normalizimi mund të shkonte përpara pa një zgjidhje me dy shtete. Ai tha: “Arabia Saudite do të jetë shumë e dobishme.”

I dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, kishte mbajtur takime në Riad në fund të janarit. Dy diplomatë të lartë thanë se Ëitkoff përcaktoi një afat kohor tre mujor për procesin e normalizimit.

Por zhgënjimi saudit u shndërrua shpejt në befasi dhe më pas në zemërim kur Trump njoftoi idenë e tij për Gazën.

“Ai nuk është i kënaqur,” tha një burim i afërt me oborrin mbretëror saudit për reagimin e Princit Mohammed.

Niveli i zemërimit u duk shpejt në transmetimet e medias shtetërore – të cilat analistët thonë se janë shpesh një masë e këndvështrimeve zyrtare saudite – me raportet televizive të lajmeve që kritikonin personalisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

“Ata janë të zemëruar,” tha Aziz Alghashian, një analist saudit i njohur me mendimin zyrtar, duke përshkruar gjendjen shpirtërore midis zyrtarëve të lartë sauditë.

Shumë ekspertë thonë se Trump mund të jetë duke përdorur një dredhi të vjetër pazaresh nga metodat e tij diplomatike, duke vendosur një pozicion ekstrem si një hap për negociatat. Gjatë mandatit të tij të parë, ai shpesh lëshoi ​​ato që shiheshin gjerësisht si deklarata të pahijshme të politikës së jashtme, shumë prej të cilave nuk u realizuan kurrë.

Megjithatë, ajo i ka ndërlikuar bisedimet e normalizimit.

Ish-kreu i inteligjencës saudite, Princi Turki al-Faisal, i cili nuk ka asnjë rol aktual në qeveri, tha në një intervistë për CNN javën e kaluar se nëse Trump viziton Riadin, “Unë jam i sigurt se ai do dëgjojë jo pak pakënaqësi nga drejtuesit këtu”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani