Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se ardhja e Chris LaCivita për të drejtuar fushatën e PD-së për zgjedhjet e 11 majit nuk është çështje financiare, por dëshira e tij për të sjellë ndryshim në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Log” të gazetarit Endri Xhafo, Mediu theksoi se LaCivita-n e ka sjellë PD-ja për të drejtuar fushatën ndërsa pas tij do vijë edhe Tony Fabrizio.
“Ardhja e Chris LaCivita nuk ka qenë çështje financiare, por qëndrim i tij që Europa të ndryshojë, pasi e majta e zhyti kontinentin në krizë. La Civita-n e sollëm ne. Kam njohur njerëz pranë LaCivita-s. Është dëshira e tij që të sjellë ndryshim në Shqipëri. Është marrëdhënie e menaxhimit elektoral, nuk është lobim. Është kualitet i lartë i menaxhimit të fushatës. Do të vijë edhe Tony Fabrizio.” – tha Mediu.
Kreu i PR-së shtoi më tej se kreu i PD-së Berisha do kërkojë që t’i hiqet non grata nga SHBA-ja sepse sanksionimi i tij është i pabazë dhe pa fakte.
“Sali Berisha do kërkojë që të hiqet non grata për të, sepse sanksioni është pa baza dhe pa fakte, në mënyrë që të mund të krijojë raporte normale me diplomatët amerikanë. Nuk ka të bëjë vetëm me LaCivita-n. Funksionarë të lartë në Uashington kanë kërkuar që të verifikohen faktet për sanksionimin që mund t’i jetë bërë Sali Berishës.” – shtoi ai.
Mediu vuri në dukje se kreministri Rama ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me Xhorxh Sorosin për shkak të interesit të tij politik, ndërsa nënvizoi se tanimë është e qartë lufta e administratës së re Trump me Sorosin në SHBA.
“Rama ka pasur marrëdhënie të ngushtë me Sorosin për shkak të interesit të tij politik. Por edhe që Trump me Sorosin ka një armiqësi të hapur është e qartë. Ka një operacion të madh në SHBA për çmontimin e Sorosit nga lidhjet e tij me administratën dhe më çështje si ajo e gjinive, emërtimit të prindërve, kultura “woke” e përjashtimit etj. Edhe qëndrimi i zëvendëspresidentit Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih ishte i qartë se krerët e BE-së janë shkëputur nga votuesit e tyre dhe se po censurojnë lirinë e demokracinë.” – theksoi Mediu.