BE nis programin e mbështetjes prej 7.2 milionë euro për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë


 

Bashkimi Evropian në Shqipëri, ka nisur zyrtarisht Projektin e Mbështetjes së Integrimit në BE (EUIS), një nismë prej 7.2 milionë euro e krijuar për të ndihmuar qeverinë shqiptare në avancimin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Siç njofton delegacioni i BE në Tiranë, kjo mbështetje përputhet me objektivin e Shqipërisë, të përshkruar në Planin e saj Kombëtar për Integrimin Evropian, për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.

Projekti do të ofrojë asistencë të synuar për strukturat negociuese dhe të gjitha institucionet publike të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE.

“Nëpërmjet ekspertizës së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, BE do të mbështesë Shqipërinë në koordinimin e procesit të negociatave dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së në të 35 kapitujt e negociatave”, thuhet në deklaratë.

Me këtë rast, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato rikonfirmoi angazhimin e fortë të BE-së për integrimin e Shqipërisë.

 “Perspektiva e BE-së për Shqipërinë nuk ka qenë kurrë më reale. Pas hapjes së dy grupeve të negociatave me BE-në vitin e kaluar, dhe duke qenë se vendi synon të hapë të gjitha grupet deri në fund të këtij viti, puna për reformat duhet të përshpejtohet ndjeshëm. BE-ja është e gatshme të mbështesë planet ambicioze të Shqipërisë, duke përfshirë edhe këtë projekt të dedikuar. Së bashku me shtetet tona anëtare të BE-së, ne do të bëjmë çmos për të ndihmuar Shqipërinë jo vetëm në finalizimin e procesit të anëtarësimit, por edhe në përgatitjen për përgjegjësitë dhe përfitimet e anëtarësimit në BE”, tha ai, sipas zyrsës së shtypit të delegaciont të BE.

Një fokus kyç do të jetë gjithashtu në rritjen e ndërgjegjësimit për Planin e Rritjes, i cili mund t’i sjellë Shqipërisë gati 1 miliard euro në grante dhe investime në infrastrukturë.

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën e saj të integrimit në BE, me synimin për të përfunduar të gjitha reformat kryesore.

“Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën e saj të integrimit në BE. Që kur iu dha statusi i kandidatit për në BE në vitin 2014, Shqipëria ka punuar pa u lodhur për të harmonizuar politikat, institucionet dhe praktikat e saj me standardet e BE-së. Sot Shqipëria është në një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të plotë në BE, me synimin për të përfunduar të gjitha reformat kryesore deri në vitin 2027 dhe për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade. Ndërsa ecim përpara, ne vlerësojmë mbështetjen e BE-së në këtë moment kyç për procesin. Së bashku, ne mund të sigurojmë që Shqipëria jo vetëm të përmbushë standardet e nevojshme, por të përshpejtojë përparimin e saj drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë ajo.