Emetohet eurobondi 650 mln euro, Rama: Të gjithë kanë besim tek ekonmia jonë


Qeveria ka arritur të marrë eurobondin 650 milionë euro në bursën angleze me normë interesi 5%.

Ministria e Financave sqaron se borxhi i marrë duhet të shlyhet për 10 vite, pasi maturohet në 2035-ën.

Kryeministri Edi Rama e quajti një lajm shumë të mirë për Shqipërinë dhe renditi tre arsyet pse emetimi është i suksesshëm

“Ky ishte emetimi më i suksesshëm ndonjëherë sa i takon 3 gjërave. Investitorët e huaj ofruan 4.3 herë më shumë se nevoja jonë. Madje gjatë ditës oferta vajti në 5.7 herë më shumë se nevoja jonë.

Ky mbulim është më i larti i regjistruar në vendet e Europës Qëndrore e Lindore nga tetori i 2024.

Së treti normë interesi më të ulët për Shqipërinë sesa vende si Serbia e Rumania për obligacionet 10 vjeçare që kanë reitingun më të lartë se ne për momentin.“- tha ai.

Rama tha se Shqipëria tashmë është në një pozicion të ri në tregjet financiare ndërkombëtare ndërsa thumboi opozitën dhe kundërshtarin e tij politik Sali Berisha duke thënë se në 11 maj do të marrë përgjigjen e merituar nga shqiptarët.

Nuk është vetëm sigurim i likuiditetit me kushte shumë të mira financiare por tregon pozicionimin e ri të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare e tregon besim. Shqipërisë po i besojnë të gjithë. E di që këneta politico mediatike nuk do i japë fare hapësirën se po ju mban të lidhur pas iluzioneve të bufit të kënetës. Në 11 maj do të mbetet bashkë me zvarranikët dhe amfibët në vaki shembullore elektorale.”- shprehet Rama.

Norma fillestare e eurobondit ka qenë 5.5% thotë Ministria e Financave por për shkak të ofertës më të lartë se kërkesa pasi ishin 195 investitorë të interesuar për këtë emetim edhe norma e interesit është ulur.

Emetimi i këtij eurobondi i konsideruar me pjesëmarrjen më të lartë të investitorëve të huaj, sipas Ministrisë së Financave siguron likuiditet për nevojat e qeverisë, për financimin e borxheve të kaluara, për mbështetje buxhetore por mat edhe besimin e investitorëve ekonominë shqiptare në tërësi dhe financave publike në veçanti.

Ky është eurobondi i shtatë që Shqipëria merr në tregjet e huaja pasi prej vitit 2010 vendi ka marrë 3.8 miliardë euro në tregun e huaj.

Borxhi i marrë këtë vit është me normë interesi 0.9% më të ulët se 600 milionë eurot e emetuara në 2023 që kishin interes 5.9%. Borxhi me interesin më të lartë ka qenë ai i 2010-ën me 7.5%, ndërsa më i ulëti ishte në 2020-2021 ku të dy eurobondet ishin me interes nga 3.5%.