Reagimi i GJKKO ndaj policisë, Bardhi: Ministri Hoxha dhe Ilir Proda duhet të shkarkohen menjëherë


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas qëndrimit të SPAK dhe GJKKO, të cilët dënuan mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj grumbullimit të mbështetësve të Erion Veliajt përpara institucioneve të drejtësisë.

Bardhi akuzoi Ministrin e Brendshëm për mashtrim dhe urdhër politik për të penguar drejtësinë, me qëllim mbrojtjen e Erion Veliajt, i cili po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Ai kërkoi shkarkimin dhe ndjekjen penale të Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Policisë, duke e cilësuar mosveprimin si një sulm ndaj pushtetit gjyqësor dhe një akt kriminal që rrezikon integritetin e drejtësisë.

Sipas tij, Erion Veliaj, megjithëse mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Kryeministrit Edi Rama, nuk është mbi ligjin dhe duhet të përballet me drejtësinë si çdo qytetar tjetër.

Njoftimi:

Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm.

Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij.

Erion Veliaj nuk është mbi ligjin.

Ai është mik e bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, por ky i fundit nuk mund të keqpërdorë shtetin dhe Policinë e Shtetit për ti ardhur në ndihmë një personi që hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Edi Rama mund të zgjedhë të jetë avokat i Erion Veliajt, por këtë duhet ta bëjë privatisht, jo duke keqpërdorur institucionet e shtetit.

Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje.

Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht.

E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit. Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE!