Katër të mitur janë arrestuar në kryeqytet pasi dyshohet se tentuan t’i merrnin me dhunë një 21-vjeçari sendet personale.
21-vjeçari denoncoi rastin në polici për ngjarjen e ndodhur në zonën e ish-Fushës së Aviacionit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së kallëzimit të një 21-vjeçari se 4 të mitur kishin tentuar t’i merrnin me dhunë sendet personale, kanë organizuar punën menjëherë dhe, pas veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e 4 shtetasve të mitur, të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç.
Të miturit dyshohen se, ditën e djeshme, në zonën e quajtur Ish-Fusha e Aviacionit, tentuan t’i merrnin me dhunë sendet personale një 21-vjeçari.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera në Tiranë, ku dyshohet se mund të jenë të përfshirë këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”-njofton policia.