Skiatorja shqiptare Lara Colturi nuk ia doli të përfundonte garën e saj në disiplinën e Sllallomit, në Kampionatin Botëror të Skive Alpine që po zhvillohet në Saalbach të Austrisë. Që në lëshimin e parë, 18-vjeçarja humbi kontrollin dhe rrëshqiti, duke ndërprerë kështu pjesëmarrjen e saj në këtë disiplinë.
Pavarësisht pritshmërive të larta dhe shpresave për një medalje nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Skive, Colturi nuk mundi të vijonte garën dhe për pasojë, nuk u kualifikua për lëshimin e dytë.
Rezultati më i mirë i Lara Colturit në këtë kampionat mbetet vendi i 7-të në Sllallomin Gjigand, i arritur dy ditë më parë. Ky është një sukses i rëndësishëm për skiatoren 18-vjeçare në debutimin e saj në një Kampionat Botëror, pavarësisht fatit të keq në garën e sotme.