Mbështetësit e Veliajt para GJKKO, Berisha: U rikthyen skenat e viteve të Eskobarit, kur u vranë gjykatës dhe prokurorë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar tubimin e mbështetësve të Erion Veliajt para GJKKO dhe SPAK gjatë seancës së fundit për kryebashkiakun.

Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha krahasoi ngjarjet me skenat e viteve ’80 në Kolumbi, duke thënë se sulmi ndaj gjykatës dhe rrethimi i saj nga policia bashkiake përfaqësojnë një rrokullisje të narkoshtetit.

“Së fundmi ndodhi ajo që nuk ka ndodhur kurrë në 32 vite. Një skenë që e kemi parë vetëm në Kolumbi në vitet ’80, kur gjykata u sulmua në një grusht të mirëfilltë shteti.

Policia bashkiake dhe policitë civile rrethuan gjykatën dhe makinat e gjykatësve.

U rikthyen skenat e viteve të Eskobarit, kur u vranë gjykatës dhe prokurorë, e shumë prej tyre u zhdukën pa nam e nishan.

Të gjitha këto janë dëshmi se rrokullisja e narkoshtetit po ndodh njëlloj si në ‘Narcos’. Këto janë episode pas episodi të një shteti të kapur nga krimi dhe korrupsioni”, tha Berisha.