Kryeministri Edi Rama ka ftuar shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të rikthehen në atdhe dhe të investojnë në Shqipëri. Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se sot Shqipëria është një realitet krejt tjetër, gati për të pritur emigrantët që duan të kontribuojnë me përvojën e tyre.
Rama theksoi se kthimi i emigrantëve sjell me vete dije dhe përvojë të fituar jashtë vendit, duke e cilësuar këtë si një “armë” për sukses.
Rama gjithashtu njoftoi se së shpejti do të hapen kapitujt e tjerë të negociatave me Bashkimin Europian, me synimin që Shqipëria të anëtarësohet brenda kësaj dekade. Kryeministri e cilësoi investimin në Shqipëri sot si një investim të mirë për të ardhmen.
“Çdo kthim është një dije ekstra, për shkak të eksperiencës së mbledhur në një realitet tjetër. Shqipëria sot nuk është më e vështirë se Greqia e dikurshme për ata që dikur punuan atje, edhe mes paragjykimeve. Sot, 35% e prodhimit në Kretë është në duart e shqiptarëve.
Nëse këta njerëz punojnë tokën këtu, marrin tokë me qira apo bashkëpunojnë me të tjerët, me siguri do të kenë sukses. Shqipëria është në avancim.
Së shpejti do të hapim kapitujt e tjerë të negociatave me BE dhe synojmë të anëtarësohemi brenda kësaj dekade. Të investosh sot në Shqipëri është një investim i mirë për të ardhmen”, – tha Rama.
“Shqipëria nuk është zi, jemi një vend tjetër. Sot vendi është i gatshëm të presë shumë më tepër emigrantë mbrapsht. Kush nuk provon, nuk realizon atë që dëshiron. Kur korrupsioni luftohet realisht, perceptimi për një periudhë kohe rëndohet, sepse problemet dalin në dritë. Ekspozimi i korrupsionit kthehet në një temë që ndikon në perceptim”, deklaroi Rama.
“Kush nuk provon është e sigurt që nuk realizon, atë që do të donte. Kush provon edhe mund të dështojë, por them që Shqipëria është sot e gatshme për të pritur shumë më tepër emigrantë mbrapsht dhe nuk është Shqipëria ajo që duket nga TV, ku 90% të kohës dëgjon vetëm zi.
Këtë javë kemi diskutuar pse kur korrupsioni fillon luftohet realisht perceptimi për një periudhë të caktuar kohe rëndohet sepse fillon dhe ekspozohet, kthehet në një temë që ndikon në perceptim. Ndërkohë që jemi komplet një vend tjetër”, tha Rama.