Ish-deputeti i PS-së, Alket Hyseni, anëtar i bordit të Shoqatës Botërore të Jurisprudencës ka komentuar aktualitetin politik në vend dhe arrestimin nga SPAK të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
I ftuar në emisionin Kjo Javë të gazetares Nisida Tufa në News24, ai tha se rasti i Veliajt duhet trajtuar me dinjitet, ashtu siç duhet të ndodhë me rastin e çdo qytetari të vendit ndaj të cilit ngrihen akuza.
Hyseni theksoi se shpesh organi i akuzës bëhet pjesë e lojës politike në vend duke ndërhyrë gabimisht e në rastin konkret brutalisht në fushatën zgjedhore.
“Nuk prezumoj se mund të flas me kompetencë të plotë për detaje sepse dosjen nuk e njoh. Por nga sa është bërë publike ndjej keqardhje që arrihet në një masë ekstreme për një personalitet të jetës politike që për më tepër ka marrë vullnetin e qytetarëve të Tiranës për të drejtuar punët e këtij qyteti të madh. Nga ana profesionale mund të them se akuzat janë akuza, kur thashë për kontaminimin ka të bëjë edhe me këtë fakt sepse këtu ka filluar që gjyqet të bëhen publike, që organet e akuzës shpesh bëhen pjesë e lojës politike, pjesë e këtij kontaminimi dhe ndërhyjnë gabimisht dhe në rastin konkret brutalisht në fushatën zgjedhore. Erjonin e njoh, nuk është ndër miqte e mi të ngushtë po është ndër personalitetet e PS-së, shembull i punës që nuk meriton asnjë shans të tillë. Çdo akuzë ndaj tij duhet trajtuar si një qytetar normal, as i privilegjuar po jo i penalizuar me të padrejtë dhe duhet trajtuar si aktet ndërkombëtare e kombëtare ligjore që Shqipëria ka përshtatur për t’i bërë ato dinjitoze. Duhet të ketë trajtim me dinjitet jo i Erion Veliajt po i çdo njëriu ndaj të cilit ngrihen akuza.” – tha Hyseni.
Në hyrje të emisionit Hyseni njoftoi organizmin në Shqipëri në vitin 2027 të Kongresit Botërore të Ligjit ndërsa rrëfeu përzgjedhjen e tij si anëtar bordi i Shoqatës Botërore të Ligjit.
“Në 2027-ën Shqipëria do jetë qendra botërore e ligjit. Këtu do vijnë mijëra juristë nga më të shquarit në botë. Është diskutuar në panelet tona mbi reformën në drejtësi në Shqipëri, vazhdon të mbikëqyret dhe asistohet me ekspertizë nga kjo organizatë. Këto bënë që ata të ndjenin se kishte ardhur koha që në institucionet e tyre drejtuese të ishte edhe një shqiptar. Kanë propozuar dhe ka qëlluar fati që të propozohem unë nga ato organizma. Është organizëm që nuk varet nga shteti, nuk ka asnjë propozim nga institucionet shqiptare është propozim i brendshëm i drejtuesve të atij bordi për të zgjeruar në radhët e tyre edhe një shqiptar.” – shtoi Hyseni.