Një 19-vjeçar u qëllua për vdekje në Bruksel të shtunën mbrëma, tha zyra e prokurorit, ndërkohë që dhuna e bandave të drogës në kryeqytetin belg nuk tregon shenja zbutjeje.
Brukseli është rrënuar nga të shtëna të lidhura me bandat e drogës vitet e fundit dhe zyrtarët kanë thënë se më shumë se 100 nga rrjetet kriminale më të rrezikshme të Evropës veprojnë në Belgjikë, shkruan Reuters.
Zyra e prokurorit tha të dielën se të shtënat ndodhën në distriktin Anderlecht të Brukselit. Policia ishte në kërkim të të dyshuarve që u arratisën me një veturë.
“Hetimet tona fillestare na bëjnë të besojmë se incidenti ka ndodhur për larje hesapesh mes bandave të trafikut të drogës”, shtoi ajo në një deklaratë.
Vrasja e së shtunës mbrëma pasoi një tjetër vrasje në Anderlecht këtë muaj, ndërsa një incident i veçantë me të shtëna në Bruksel në shkurt çoi në një mbyllje të përkohshme të shumë prej stacioneve të metrosë së kryeqytetit.