Kievi nuk është ftuar në bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë, ka thënë një burim i lartë i qeverisë ukrainase për BBC.
I dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, kishte thënë se Kievi do përfshihej në bisedimet e së hënës në Arabinë Saudite, por burimi tha se asnjë delegacion nuk do ishte i pranishëm.
Udhëheqësve evropianë gjithashtu nuk u është kërkuar t’i bashkohen diskutimeve, dhe në vend të kësaj do takohen të hënën në Paris në një samit të organizuar me ngut nga presidenti francez, pasi frika rritet se kontinenti po bllokohet nga negociatat.
Takimet e veçanta pasojnë një javë të trazuar ku Uashingtoni ka sinjalizuar një ndryshim drastik në qasjen e tij ndaj luftës në Ukrainë.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, konfirmoi se ai po udhëtonte në Arabinë Saudite të dielën në mbrëmje për bisedimet e para ballë për ballë mes SHBA-së dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, do të takohen gjithashtu me negociatorët rusë atje, më pak se një javë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump zhvilloi një telefonatë me kreun rus Putin.
Zelensky ka përjashtuar në mënyrë të përsëritur pranimin e një marrëveshje paqeje të negociuar pa Ukrainën, duke i thënë rrjetit televiziv amerikan NBC të dielën se ai “kurrë nuk do pranonte asnjë vendim midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Ukrainën, kurrë”.