Një djalë 14-vjeçar ka humbur jetën dhe pesë persona të tjerë janë plagosur në një sulm me thikë të ndodhur të shtunën në qytetin e Villachut, në jug të Austrisë.
Policia ka arrestuar një të dyshuar 23-vjeçar, i cili është shtetas sirian me leje qëndrimi të ligjshme në Austri, sipas The Guardian.
Sipas autoriteteve, të gjithë viktimat janë burra, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Ende nuk është përcaktuar motivi i sulmit, dhe policia po heton të kaluarën dhe sfondin personal të sulmuesit.
Një punonjës 42-vjeçar i një shërbimi shpërndarjeje ushqimi, gjithashtu me origjinë siriane, u bë dëshmitar i ngjarjes dhe ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Ne duhet të presim derisa të kemi informacione të sigurta,” tha zëdhënësi i policisë, Rainer Dionisio.
Guvernatori i provincës së Karintisë, Peter Kaiser, shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës 14-vjeçare, duke e cilësuar ngjarjen një akt të tmerrshëm që duhet të pasohet me masa të ashpra.
“Kushdo që jeton në Karinti, në Austri, duhet të respektojë ligjin dhe të përshtatet me rregullat dhe vlerat tona,” deklaroi ai.
Ngjarja ka nxitur gjithashtu reagime politike. Deputeti i partisë së ekstremit të djathtë, Erwin Angerer, kritikoi politikat e azilit në Austri, duke thënë se partia e tij ka paralajmëruar vazhdimisht për pasojat e politikave të gabuara të emigracionit.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, pritet të vizitojë Villachun të dielën në mëngjes për të ndjekur nga afër hetimet.
Policia ka deklaruar se ende nuk është e qartë nëse i dyshuari ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë, dhe kërkimet për ndonjë të dyshuar shtesë vijojnë.
Ngjarja ndodh në një moment kur disa vende evropiane, përfshirë Austrinë, kanë pezulluar vendimet për azilkërkuesit sirianë për shkak të paqartësive mbi situatën politike në Siri pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad.