Qëllohet për vdekje imami i parë në botë i njohur si homoseksual


Imami Muhsin Hendricks, i njohur si imami i parë haptazi homoseksual në botë, u qëllua për vdekje pranë qytetit Gqeberha në Afrikën e Jugut, njoftoi policia lokale.

Sipas raportimeve, Hendricks ndodhej në një makinë me një person tjetër të shtunën, kur një automjet tjetër u ndal përpara tyre dhe bllokoi rrugën.

Dy persona të panjohur me fytyra të mbuluara dolën nga automjeti dhe hapën zjarr mbi makinën, duke e lënë Hendricks të vdekur në vend, sipas The Guardian.

Motivi i vrasjes mbetet i panjohur dhe është pjesë e hetimeve në vazhdim.

Departamenti për Gratë, Rininë dhe Personat me Aftësi të Kufizuara në Afrikën e Jugut dënoi vrasjen e Hendricks, duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm.

Hendricks ishte i njohur për avokimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ+ brenda Islamit dhe për themelimin e xhamisë Al-Ghurbaah në Cape Town, e cila ofronte një hapësirë të sigurt për myslimanët queer dhe gratë e margjinalizuara.

Në një intervistë të mëparshme, Hendricks kishte përmendur kërcënimet ndaj tij, por kishte theksuar se “nevoja për të qenë autentik” ishte “më e madhe se frika për të vdekur”.

Afrika e Jugut ka një nga normat më të larta të vrasjeve në botë, me 28,000 vrasje të regjistruara në vitin deri në shkurt 2024, sipas të dhënave të policisë.