SHBA dhe Rusia pritet të takohen në Arabinë Saudite për bisedime mbi luftën në Ukrainë


Sipas një raportimi të Reuters, zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë pritet të zhvillojnë bisedime në Arabinë Saudite në ditët në vijim, me qëllim nisjen e një procesi paqeje për luftën në Ukrainë.

Këto bisedime vijnë pas një telefonate mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, ku u ra dakord për fillimin e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur. 

Burime të afërta me çështjen thanë se Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Marco Rubio, do të marrë pjesë në takimet e planifikuara në Riad, ku pritet të diskutohet për kushtet e mundshme të një armëpushimi dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën. 

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar duke theksuar se nuk ka marrë ftesë për këto bisedime dhe se Ukraina nuk do të pranojë një marrëveshje të arritur pa përfshirjen e saj.

 “Asnjë vendim për të ardhmen e Ukrainës nuk mund të merret pa Ukrainën,” ka deklaruar Zelensky. 

Ky zhvillim ka shkaktuar shqetësim edhe në radhët e liderëve evropianë, të cilët kanë thirrur një samit emergjent javën e ardhshme në Paris për të koordinuar qëndrimin e tyre lidhur me këto negociata.

 Sipas burimeve britanike, në këtë takim do të marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Britanisë së Madhe, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. 

Ndërkohë, Kremlini ka përshëndetur nismën e bisedimeve, duke e cilësuar atë si një “sinjal të fuqishëm” se SHBA dhe Rusia po përpiqen të arrijnë një zgjidhje përmes dialogut dhe jo përmes luftës.

 Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për mediat ruse se “sanksionet e Perëndimit nuk do të jenë pengesë për negociatat, pasi mund të hiqen po aq shpejt sa u vendosën.” 

Bisedimet në Arabinë Saudite vijnë në një moment kritik të luftës në Ukrainë, ku forcat ukrainase dhe ruse vijojnë luftimet intensive në lindje të vendit, ndërsa Perëndimi ka rritur mbështetjen ushtarake për Kievin. Rreth këtyre negociatave pritet të ketë më shumë zhvillime në ditët në vijim.