Presidenti amerikan Trump ka uruar Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë, përmes një letre dërguar presidentes Vjosa Osmani.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë shkruan se Uashingtoni mbështet plotësisht Kosovën për ndërtimin e një shoqërie demokratike. Trumo vlerëson lidhjes mes SHBA-ve dhe Kosovës dhe thekson se pret që ato të zgjerohen ndërsa nënvizon se do vijojë të punojë me Prishtinën për forcimin e institucioneve demokratike.
Në fund Trump nënvizon se pret që vitin në vijim të ndërtohet një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës duke theksuar rëndësinë e integrimit të saj në BE e NATO.
“E nderuar Zonja Presidente
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë. Rruga e Kosovës si një komb sovran është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria.
Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike, ku të gjithë qytetarët mund të jetojnë dhe të zhvillohen së bashku. Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim t’i zgjerojmë ato, duke përfshirë edhe rritjen e mundësive për investime, për të sjellë më shumë mirëqenie për të dyja kombet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën ndërsa ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë të biznesit.
Shtetet e Bashkuara presin me padurim ndërtimin e një marrëdhënieje më produktive me qeverinë e Kosovës gjatë vitit të ardhshëm. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej në komunitetin euro-atlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.
Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e së kaluarës, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe lidhjeve më të thella midis kombeve tona. Ju dërgoj urimet e mia më të mira popullit të Kosovës në këtë ditë festimi.
Sinqerisht, Donald Trump”