Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, uroi Kosovën duke e cilësuar si një faktor të rëndësishëm paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon. Ai shprehu vendosmërinë për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për të mbështetur anëtarësimin e saj në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë e dashur!
Forcohesh çdo ditë si faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon, shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe garantimit të votës së lirë.
Partia e Lirisë është e vendosur për të mbrojtur pavarësinë e integritetin territorial të Kosovës, si dhe të mbështesë procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e saj në gjithë organizatat rajonale dhe në OKB.
Urimet më të përzemërta vëllazërore!”, shkruan Meta.
Presidenti Bajram Begaj shprehu nderim përjetë për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke falenderuar edhe aleatët ndërkombëtarë që kanë qëndruar pranë Kosovës.
Postimi i plotë:
Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë!
Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë!
Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje!
Edhe kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka uruar 17- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke nderuar figurat historike dhe falënderuar aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe vizionit për të ardhmen e Kosovës.
“Në përvjetorin e shtatëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës, me zemër uroj popullin e Kosovës, institucionet e saj dhe shqiptarët anembanë botës, Gëzuar Pavarësinë.
Kosova është pjesë e pandashme e jetës së kombit tonë, po ashtu pjesë e pandashme e rrugëtimit tim familjar, profesional dhe politik. Zoti më ka bekuar me mundësinë për të qenë bashkëudhëtar i ngjarjeve historike të Kosovës, të punoj e të jap kontributin tim, si një amanet i të parëve të mi, që do ta nderoj në çdo moment të jetës sime.
Në këtë ditë të shënuar, përulem me respekt dhe mirënjohje, para presidentit Ibrahim Rugova, personifikimit të Pavarësisë, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, patriotëve, intelektualëve, veprimtarëve, bijëve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifikuan gjithçka për ëndrrën shekullore për liri.
Mirënjohje e përjetshme edhe për miqtë dhe aleatët e mëdhenj, që qëndruan krah për krah shqiptarëve në realizimin e Pavarësisë, SHBA-ja, Britania e Madhe, NATO dhe vendet mike europiane, që duke njohur Pavarësinë e Kosovës mundësuan vendosjen në vend të një të drejte historike.
Sfidat në konsolidimin e një shteti të fortë, të begatë dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike, kërkojnë sot maturinë, vizionin dhe vendosmërinë e lidershipit të Kosovës, si dhe bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje të partnerëve strategjikë, SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe që jam i bindur se nuk do të mungojnë.
Jemi krenarë për arritjet e jashtëzakonshme të Kosovës në këto 17 vite e po ashtu të vetëdijshëm se më e mira është përpara.
Gëzuar Kosovë, Zoti e bekoftë Kombin tonë”
Pavarësia e Kosovës, shpallur më 17 shkurt 2008, është njohur deri më tani nga 117 shtete dhe vendi është anëtar i disa organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, BERZH, UEFA dhe FIFA, por ende nuk është pjesë e OKB-së, BE-së dhe Këshillit të Evropës.