3 biznese përfshihen nga zjarri në Sarandë, Librazhd dhe Gramsh


Një agjenci makinash me qira në lagjen “Skënderbeu” të Sarandës, në pronësi të Ilia Hysit, u përfshi nga flakët mesnatën e së hënës.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, dëmet materiale janë të konsiderueshme. Hetimet paraprake tregojnë se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga kutia shpërndarëse.

Po ashtu, një minimarket në Librazhd u dogj duke shkaktuar humbje të mëdha materiale, përfshirë një sasi të konsiderueshme artikujsh ushqimorë. Zjarrfikësit arritën të izolonin flakët që rrezikonin edhe banesat përreth. Shkaqet mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet.

Ndërkohë, një servis elektroshtëpiakesh në Gramsh u përfshi nga zjarri mbrëmjen e së dielës. Flakët, që nisën brenda servisit, u përhapën me shpejtësi, duke shkrumbuar pothuajse të gjithë ambientin. Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve, vënia nën kontroll e zjarrit ishte e vështirë. Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen dhe po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.