Bashkimi Evropian po planifikon të lëshojë kufizime të reja për prodhimet ushqimore të importuara të trajtuara me pesticide toksike për të adresuar ankesat e fermerëve për standardet e rrepta me të cilat përballen në një treg global gjithnjë e më konkurrues.
Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i bllokut, “do vendosë një parim që pesticidet më të rrezikshme të ndaluara në BE për arsye shëndetësore dhe mjedisore nuk lejohen të kthehen në BE përmes prodhimeve të importuara”, sipas një draft dokumenti që do publikohet të mërkurën.
Fermerët e BE-së kanë protestuar në gjithë Evropën gjatë vitit të kaluar për barrën në rritje të klimës dhe rregullave mjedisore të bllokut. Si rezultat, ata kanë luftuar një marrëveshje tregtare të përfunduar me bllokun Mercosur të Argjentinës, Brazilit, Uruguait dhe Paraguajit për shkak të kërkesave më të ulëta në ato vende.
Por ky plan i fundit i BE-së rrezikon të shkaktojë reagime nga presidenti amerikan Trump, i cili ka akuzuar vijimësisht BE-në për trajtimin e padrejtë të SHBA-së. Në deklaratën javën e kaluar për tarifa të ndërsjella ndaj partnerëve tregtarë amerikanë, administrata Trump tha në mënyrë specifike se planifikonte të merrte parasysh pengesat jotarifore për tregtinë, të cilat mund të përfshijnë rregulloret e bllokut.
BE-ja ka klasifikuar një pjesë të vogël të pesticideve si të rrezikshme, duke i ndaluar ato për shkak të shqetësimeve shëndetësore dhe mjedisore.
Komisioni planifikon të shmangë ndalimet e përgjithshme dhe të vijojë rast pas rasti kur vendos për përdorimin e pesticideve toksike, duke marrë parasysh realitetet e tregut dhe vendin e origjinës, tha një zyrtar i BE-së. Për këtë qëllim, do nisë një vlerësim të ndikimit këtë vit për të marrë në konsideratë efektet e çdo vendimi në pozicionin konkurrues të BE-së dhe implikimet ndërkombëtare, duke përfshirë përputhjen me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
OBT lejon masa autonome nëse ato justifikohen nga një qëllim legjitim i politikës, siç janë arsyet shëndetësore ose mjedisore. Por pasojat e rregulloreve të BE-së jashtë vendit, veçanërisht rregullat e saj të gjelbra, kanë qenë një mollë sherri me vendet e treta.
Financial Times raportoi më herët se BE-ja po përpiqet të bllokojë importet e disa sendeve ushqimore, ndoshta duke përfshirë prodhimet amerikane si soja. Një zyrtar i BE-së tha se propozimi nuk do synojë asnjë prodhim apo vend dhe se vlerësimi i ndikimit do marrë parasysh interesat strategjike të BE-së dhe konkurrencën e saj. Zyrtari tha se kjo mund të përfshijë nevojën për të importuar proteina me bazë bimore, duke përfshirë sojën nga vende si SHBA, një nga furnizuesit kryesorë të saj.
Blloku, megjithatë, dëshiron të diversifikojë burimet e tij të proteinave, të cilat aktualisht janë shumë të përqendruara në eksportues si Argjentina dhe Brazili, sepse varësitë e bëjnë “sistemin ushqimor të prekshëm ndaj luhatjeve të tregut global dhe rreziqeve të qëndrueshmërisë”, sipas draft dokumentit.
Në këtë drejtim, komisioni do zhvillojë një plan për të adresuar këto sfida për të dalë me “një sistem proteinash më të vetëmjaftueshëm dhe të qëndrueshëm të BE-së, duke diversifikuar në të njëjtën kohë importet”, thuhet në dokument. Drafti është ende subjekt i ndryshimeve përpara se të publikohet zyrtarisht.